Protesta studentore nis nga Korça, nisen drejt Tiranës

E mërkurë, 22 May 2019 11:05

Studentit e universitetit “Fan S. Noli” i janë bashkuar protestës kombëtare të studentëve. Studentët kanë bojkotuar mësimin duke u grumbulluar tek Korpusi Universitar. Një pjesë e studentëve janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e orës 12:00. Ndërkohë, në disa fakultete, studentët kanë vijuar normalisht mësimin.

Studentët e Korçës kërkojnë unifikimin e kartës së studentit në rang kombëtar, të paguhet periudha e stazhit, të rankohen programet e studimit si dhe portali i transparencës të bëhet funksional. Po ashtu pesha e votës së studentëve të rritet me 25 përqind si dhe përfaqësuesi i studentëve në Bordin e Administrimit të zgjidhet nga studentët jo nga Ministria.

Mësohet se anëtarëve të këshillit studentor iu është bërë presion të mos marrin pjesë në protestë. Raportohet se presione ka pasur ndaj familjarëve të studentëve, sidomos për atë që janë në marrëdhënie pune shtetërore.

Sot në orën 12:00 studentët rikthejnë protesta kombëtare, pasi siç pretendojnë ata qeveria nuk ka përmbushur kërkesat edhe pse lançoi “Paktin për Universitetin” në muajin janar, dokument i cili shoi protestën studentore dhe riktheu normalitetin në fakultete.

Login to post comments