Në fjalën e tij në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, kreu i shtetit Ilir Meta foli me tone kritike, ndaj tezave për bashkim të shqiptarëve në Ballkan.
“Nuk ka komb në Ballkan që kanë përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt, nuk ka komb në Ballkan që ka qenë më i shtypur para viteve ’90. E mbajmë mend shumë mirë se çfarë ishte Rumania e Jugosllavia, ne ishim thjesht një Kore e Veriut në atë kohë. Dëgjojmë shpesh, pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët, po natyrshëm pse mos të bashkoheni kroatët, të gjithë boshnjakët etj.
Këto delirime janë një diabolizëm i gjallë, një pëpjekje e politikanëve për të provokuar tema, për të shmangur vëmendjen nga cështje të brendshme. Dhe shpesh e bëjnë këtë edhe në mënyrë të koordinuar. Dhe ndërkohë çfarë ndodh ikin të rinjtë, nga Kosova, Serbia, Maqedonia, ikin kudo dhe na ftojnë për të parë një film që e kemi parë kudo.
Bëhet fjalë për një rajon Ballkanin Perëndimor, në një situatë kur pesha e Europës nga pikëpamje ekonomike ka rënë në Botë, kur globalizimi vë në rrezikk të gjithë vendet e vogla dhe gara është mes rajoneve dhe ne thellojmë ndarje për arsye më shumë personale”, theksoi Meta.