Agron Gjekmarkaj
Skënderbeu, siç thirret prej nja dy vitesh e kusur Edi Rama, na ka shkruar dy letra të bymyera, me analiza, krahasime, urime e nama! Prisnim të fliste si Kryeministër, por jo. Foli si profet e Uliks pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori! Lajmet e këqija ia behin ngamos! Protestuesit vërtet nuk hyjnë në Kryeministri, ndërsa atmosfera e përgjithshme po! Ajo nuk u ndalka dot me gaz lotsjellës, ka taftin e një qelpsinë ndanë xhadesë! E rëndë është ajo, e zymtë, e ngrysur, beter. Mes dertesh i shtyn vaktet shefi i ekzekutivit! Shteti dhe sistemi kanë mbetur nocion në letër, po kaq sa demokracia, ndershmëria e profesionalizmi i qeverisjes!
Vetëm shërbëtorët, të cilët bëhen gjithnjë e më qesharakë, të përçudnuar, tragjikë në perversitetin e tyre janë më konkretë se kurrë! Ai nuk është në gjendje të bëjë zgjedhje e t’u japë zgjidhje pasojave që ka shkaktuar me qeverisjen e tij arbitrare deri në marrëzi! Edi Rama, tash 6 vjet ka qeverisur me telefon dhe me urdhra, me hakërrime e kërcënime! Një të tillë i bëri edhe faqendierit italian, Beketit, të cilit i mbylli televizionin si paralajmërim për të tjerët e me sa thuhet në media, kjo ekonomisë sonë të rrënuar po i kushton nja 140 milionë euro. Një gropë dhe gjëmë financiare e pashoqe! Vetëm për kaq duhej të ikte në shtëpi Skënderbeu, në këmbë, natën dhe pa kalë, duke kthyer kokën pas me ankth.
Askush si ai nuk e ka dhunuar fjalën ligj dhe etikën e komunikimit publik! Triumfi i tij është triumfi i unit delirant, mishelë frustrimesh e vakumesh kulturore dhe identitare! Përfundimisht, u shua edhe Gjykata e Lartë! Sot, KQZ-ja, një organizëm kamikaz në duart e Kryeministrit, faqe shoqërisë, pa turp e drojë, votoi që përfaqësuesit e opozitës të mos jenë në KZAZ, edhe pse ligji është i qartë në këtë pikë!
Pse ndodh kjo? S’do shumë mend gjithesa! Nëse ia del të bitisë karikaturë zgjedhjesh më 30 qershor (ndonëse tepër e vështirë ngjan ajo aventurë), ai i do ato pa asnjë dëshmitar. Kështu, mundet me shënue pjesëmarrjen që ka fiksuar në mendje, duke e shndërruar që në nisje një proces të ndyrë e të rrezikshëm, këtë në të cilin po asistojmë!
Pa u skuqur, as zverdhur, rilindësit duan te vjedhin të qetë, sa e si të duan vota e pjesëmarrje. Pastaj, mbi ato rezultate do vikasin zurnatë e propagandës. Natyrisht, ambasadori Borchard, “viktima” dhe “heroi” i persekutuar nga një parullë ende s’ka shfaqur asnjë shqetësim! Votimi i djeshëm i KQZ-së na rrëfen Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama dhe se si ajo do të jetë mot nën hyqmin e tij. Ai votim është koncepti që ka për demokracinë! Tani kuptohet më mirë pse nuk i duhej nëpër këmbë Gjykata Kushtetuese! Tani s’ka asnjë mundësi as për partitë, as për shoqërinë që të ankohet në mënyrë legale! Protesta ka mbetur e vetmja rrugë ankimimi.
Kriza e thellë ku gjendemi është e vetmja gjë e vërtetë dhe e pakundërshtueshme në këtë vend! Ashtu mes dertesh e çapitjesh, Skënderbeu la mënjanë punët e Shqipërisë dhe ul mbi kartë për ta ambalazhuar atë e larguar nga vetja. Te jetë ndierë si ai i moçmi i vitit 1462, kur i drejtohej princit të Tarantit! “Ne pasardhësit e Pirros…etj., etj..” Po i thërriste në fakt, liderit të opozitës, Lulzim Bashës, e më shumë se atij opinionit publik e ndërkombëtarëve! Po lan duart Edi Rama! Flet për dialog dhe vendos caqet pa filluar, ndonëse është në pozitë absurde! Gjithë ato fjalë për të mos zgjidhur asgjë! Ku i gjete, hë të faltë Zoti, gjithë ato fjalë, do i drejtohej në njërin prej dialogëve Don Kishoti Sanço Pançës! E dimë që së shpejti do të shkruajë të tretën, mbase edhe të katërtën! Kohë letrash e punë kohe, është kjo për të mbërritur ngadalë-ngadalë tek ajo më e dhimbshmja, gjokstherësja, stomakgërryesja, lotshpërthyesja e dorëheqjes! Burbuqet e Qeverisë atë ditë do të çjerrin faqet si Lek Dukagjini për vdekjen e Skënderbeut të parë!
Në to konstatohet mungesë largpamësie e inteligjence patriotike! Te tjera, reflektim pritet! Rama i ka shumë qejf letrat. Ulet, lëmon fjalët, gjuan rimat, fundi i shërben si fillim e anasjelltas! Duke ia njohur pasionin, na mbetet të shpresojmë që të vijë koha kur ai, mund të shkruajë një për çdo ditë ose edhe dy të tilla! Shumë mesazhe përgëzimi ka marrë dje dhe sot. Shkalla e hiperbolave sot është rritur! Ndonjë intelektual i shquar që iu ka shërbyer të gjitha regjimeve, rri e vrojton i fshehur në bodrum për ta nxjerrë kokën dhe mustaqet pas stuhisë.
Komplimentin e parë për tekstet thuhet që Kryeministrit ia bëri një drejtues i njohur OJQje, siç di ai, ëmbël e me pavarësi mendimi! Njërit prej ministrave, atij më të zellshmit, i dridhej dora nga emocionet dhe i dërgoi një faqe me shkarravina, një tjetër që gugatej në ngashërim përcolli një mesazh zanor me të qara, që të këpusnin shpirtin! Njerëz të ndjeshëm janë e shpejt preken! Dashuri e tyre për liderin është e dëlirë e pa mëkat!
Dashtë Hyu e këto letra të mos i konsiderohen si lotët e Neronit, pasi dogji Romën.
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.