Pas letrës së tretë dërguar nga Rama në adresë të tij, kryeopozitari Lulzim Basha i dërgoi një mesazh nga Burreli pasditen e sotme.
“Le ta marrin përgjigjet dhe sot nga Mati siç do kumbojë nesër në Tiranë”, tha Basha. Heshti disa sekonda ndërsa nga qytetaret u dëgjuan thirrjet: Rama ik!
“Koha kur Edi Rama dhe një grup horrash mbanin peng një Shqipëri të tërë mori fund. Vjen koha kur një shoqëri duhet ta mund të keqen, të gjejë kurajën të luftojë, e mos pranojmë më kurrë të shkelemi me këmbë, kjo kohë ka ardhur për gjithë Shqipërinë. Ka ardhur ora dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas, vetëm përpara drejt rrugës që na ccon tek vlerat europiane, tek vlerat perëndimore me të cilat e nisëm në 90-n”, u shpreh kreu i PD-së.
“Largimi i Ramës nuk negociohet”, theksoi ai. Sipas Bashës, Rama për t’i shpëtuar drejtësisë kërkon luftë civile, por kjo nuk do të ndodhë.
“Në çdo vend të Europës dhjetëra herë duhet të ishte larguar ai. Për t’i shpëtuar drejtësisë ai kërkon që të shkojë në 30 qershor. Ne nuk do ta lejojmë atë 30 qershor. Sot shqiptarët janë ngritur”, tha Basha.
Më herët gjatë kësaj të premteje, Rama i dërgoi Bashës letrën e tretë publike në pak ditë. Shefi i ekzekutivit dha një përmbajtje të ngjashme me letrat e mëparshme: Akuza ndaj liderit të opozitës Bashës, i tregon se “Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin” e më tej e fton të ulet në tryezë për bisedime.