Kërcënimet ndaj Shqipërisë për t’i ndaluar rrugën drejt integrimit europian janë pjesë e fushatës të liderit të opozitës së Greqisë. Kryetari i Demokracisë së Re në shtetin fqinj Kyriakos Mitsotakis ka premtuar para grekëve se do të aplikojë të drejtën e vetos për Shqipërinë, në rast se nuk respektohet minoriteti grek.
“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian”, deklaroi ai gjatë një fjalimi në Selanik.
Nesër në Greqi do të zhvillohen zgjedhjet lokale bashkë me ato për Parlamentin Europian. Athina zyrtare ka lëshuar deklarata të ashpra, pasi KQZ-ja nuk pranoi si kandidaturë për kryetar bashkie në Himarë Fredi Bejlerin. Po ashtu, “përplasje” kishte edhe për tabelat greke në zonat minoritare, të cilat u rivendosën, por me kushtin që lart të jetë shqipja, më pas greqishtja.