Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje përplasjet e fundit në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.
Mustafa përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, është monument i pavarësisë së Kosovës, ndërsa presidenti Thaçi nuk beson në atë që thotë.
Ai gjithashtu tha se sulmet e tilla nuk nxjerrin ndonjë të vërtetë, dhe se si të tilla janë vetëm të dëmshme.
‘Prandaj kot shahemi e ofendohemi, sepse një zgjidhje e tillë nuk kalon, ajo është e papranueshme. Dhe kjo duhet të na mjaftojë’, ka shkruar ai.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Mustafës në Facebook:
Miq të nderuar,
Sulmet ndërmjet Presidentit Thaçi dhe ish Presidentit të Shqipërisë, Berisha, nuk nxjerrin një të vërtetë. Si të tilla i konsideroj të dëmshme dhe të panevojshme.
Duhet të mendohesh mirë e ti thuash ish Presidentit të Shqipërisë dhe ish Kryeministrit, Sali Berisha se ishte bashkëpunëtor i Serbisë dhe i Millosheviçit. Askush nuk të beson dhe në këtë askush merr pjesë edhe vet Presidenti Thaçi. Nuk është me rëndësi të gjurmojmë se kur dhe çfarë kanë thënë njëri për tjetrin, dhe si e kanë ngritur shoqishoqin në piedestal, por edhe ne të tjerërt e njohim edhe Sali Berishën edhe Hashim Thaçin.
Sali Berisha, si President dhe Kryeministër i Shqipërisë ka bërë të mundurën e të pamundurën për ta ndihmuar dhe përkrahur Kosovën. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, sa isha ministër i Qeverisë Bukoshi, në ekzil, për Kosovën ka qenë e hapur çdo derë e Qeverisë dhe Presidencës shqiptare me Sali Berishën; ka qenë në dispozicion tonin e tërë diploacia shqiptare, ministër, ambasadë e ambasador. Kjo ka vazhduar edhe pas luftës. Prandaj Sali Berisha ka qenë, është dhe mbetet një monument i pavarësisë së Kosovës.
Do të fitoja, ndoshta, ndonjë aplauzë nga një numër i njerëzve në Kosovë nëse Presidentin Thaçi e cilësoj si bashkëpunëtor të Vuçiqit dhe si njeri që po e shet Kosovën. Unë nuk e kam njohur si të tillë, prandaj nuk mund ti them, veç se e do pazari. Nuk jemi në Pazar të plaçkave, por në një moment shumë delikat që po kalon vendi ynë. Kështu që cilësimet nuk janë çështje personale, por ato u adresohen institucioneve që përfaqësojnë individët.
Presidentit Thaçi ia kam thënë edhe personalisht dhe e ka thënë gati tërë Kosova, publikisht, se diskursi i tij politik për korrigjim të kufijve është i shumë i gabueshëm dhe i papranueshëm. Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo do ta ketë veten në qafë, jo të tjerët.
Prandaj kot shahemi e ofendohemi, sepse një zgjidhje e tillë nuk kalon, ajo është e papranueshme. Dhe kjo duhet të na mjaftojë.
Kosova dhe Shqipëria duhet të respektohen në mënyrë të ndërsjell. Sa u përket punëve tona, ne i dimë ato më mirë sesa Shqipëria; dhe Shqipëria i di punët e veta më mirë sesa Kosova. Por ne kemi nevojë të ndihmojmë njëri tjetrin dhe të bashkëpunojmë mbi baza të barabarta dhe të respektit reciprok.
Jemi mjaftë të pjekur për të evituar cilësimet degraduese deri edhe me emra kafshësh.