Kosova nuk ka asnjë faj ndaj masave që planifikon të marrë ndaj sjelljes banditeske të Edi Ramës karshi tregtisë me Shqipërisë. Për të kuptuar se cili ka të drejtë e jo, mjafton të përmendim disa fakte. Kosova është i vetmi vend me të cilin Shqipëria ka një bilanc pozitiv tregtar, më konkretisht eksporton më shumë sesa importon. Por, nga ana tjetër, qeveria e Ramës i pengon bizneset e Kosovës të përfshihen në tregun shqiptar, madje barrierat tregtare të ngritura nga Rama janë më të rënda sesa ato të Serbisë. Thënë shkurt, Kosova e ka më të lehtë të bëjë tregti me Serbinë sesa me Shqipërinë. Kjo për arsye, se barrierat tregtare të Serbisë janë të identifikuara dhe të njohura, çka bën që bizneset e Kosovës të marrin masa përgatitore e në fund t’i kapërcejnë ato. Ndërsa, në rastin e Shqipërisë, biznesi kosovar kur arrin në kufirin me Shqiptar ndeshet me lloj lloj barrierash të improvizuara e të krijuara me telefonata oligarkësh, duke i penguar më zi se Serbia që të depërtojnë plotësisht në tregun shqiptar.
Por, këto aspekte teknike të mësipërme tregojnë shtratin e zi politik ku ngrihet e gjithë kjo skemë. Kështu, kemi një forcim të barrierave tregtare të Ramës ndaj Kosovës që kur është vendosur taksa 100% ndaj Serbisë. Duket sikur ka një veprim të koordinuar mes Ramës dhe Vucicit që hakmarrja tregtare serbe ndaj Kosovës të ndodhë në kufirin e Morinës. Edi Rama që ka nënshkruar një qerre me marrëveshje kinse të bashkimit kombëtar në fakt s’ka ndërmarrë asnjë hap konkret për ta realizuar këtë bashkim, madje ka ngritur traun e Miladinit dhe ka sabotuar çdo përpjekje reale, qoftë edhe ndërkobëtare, për të arritur një bashkim kombëtar me Kosovën. Në të gjithë këtë situatë, dora serbe që ka ulur traun në Morinë është një zgjatim antishqiptar që po realizohet nga Rama, ashtu si dikur Enver Hoxha që zbatonte porosite anti-Kosovë të Miladin Popovicit.
Kosova nuk duhet ndihet e turpëruar nëse do të vendosë të aplikojë masa ndëshkuese tregtare ndaj qeverisë Rama. Përkundrazi, ky veprim mund të jetë fillimi i sanksioneve të para ndërkombëtare ndaj qeverisë kriminale të Ramës.