Erion Veliaj po vetëprojektohet si kurbani i 30 qershorit

Diel, 09 June 2019 12:13

Nga Ilir Nikolla

Çka bën më shumë përshtypje të nesërmen e shfuqizimit të dekretit të presidentit të republikës për mbajtjen e zgjedhjeve vendore me 30 qershor është rrëshqitja e Erion Veliajt në një bulimi deklaratash që rrëfejnë njëkohësisht, panik, mllef e lëpirje ndaj shefit në të njëjtën kohë. Veliaj e ka grisur fare atë cipën e “punëtorit” që qëndron mbi rrobën e Partisë Socialiste, përtej saj, si një përfaqësues edhe i aleatëve që Rama i ka flakur tutje, edhe i një pjese të opozitës që mund të jenë qejfmbetur me opozitën politike, edhe i fëmijëve, edhe i moshës së tretë, edhe...edhe...

Dekreti i Ilir Metës ja ka grisur të gjithë cipën Erion Veliajt, e ka nxjerrë një politikan cullak që është më i rrezikuari nga të gjithë nga data 30 qershor.

Veliaj shkumëzonte sot ndaj Ilir Metës, por ajo që të bënte më shumë përshtypje ishte angazhimi si në jerm se “30 qershori vendos pushtetin e Partisë Socialiste për 30 vitet e ardhshme”. Duhet të jesh shumë në hall të shqiptosh një gomarllëk të tillë, por kur loja bëhet e rrezikshme, stili s’ka shumë rëndësi. Edhe për Erion Veliajn tashmë s’mjafton më angazhimi “Unë dhe Edi jemi të lidhur si mishi me thoin”. Terminologjia e huazuar nga sakramenti i martesës s’mjafton si hipotekë. Kjo shkallë lëpirjeje vlente kur Lali Eri ishte i garantuar se do të konkurronte i vetëm, d.m.th vetëm me dekorin e kandidatit të Bashkimeve Profesionale të PS-së, të cilit vetë kryetari i bashkisë u angazhua t’i bënte spotin e fushatës, në të njëjtin vend e me të njëjtat pekule siç kishin bërë spotin e tij e të Edi Ramës në 2015-n, kur edhe u vu në shtrat marrëveshja pushtetore e mishit me thoin.

Anullimi i 30 qershorit rrezikon të kthejë për Erion Veliajn makthin e një gare të vërtetë elektorale, në rast të një marrëveshjeje politike, makthin e një gare, që për një njeri që ka dy para mend në kokë dhe analizon se si kanakari i Edi Ramës në 2015-n ishte nga të rrallët kandidatë që i fituan zgjedhjet duke grumbulluar më pak vota sesa vetë Partia Socialiste (as të mos e shkojmë nëpërmend gënjeshtrën e thithjes së votave nga partitë ish-aleate apo nga opozita disidente) e kupton se është e barabartë me një falimentim politik.

Prandaj, Veliaj sot po kalëron të vetmin poni që di të ngasë, atë të servilizmit ndaj Edi Ramës dhe qenit të sulmit ndaj kujtdo që i prish gjumin shefit, veçse me lehje që s’njohin asnjë rregull, harmoni a lezet politik. Këtu burojnë sulmet si grua e ligë ndaj presidentit Meta, por edhe premtimi se me 30 qershor garantohet pushteti i PS për 30 vjet. Tek ky gomarllëk grishet kryeministri në panik të vijojë në sjelljen e tij prej grushti shteti, pasi kjo sjellje do t’i garantojë atij një pushtet 30 vjeçar, të cilin ai as e çon nëpër mend ta konkurrojë apo prit’e Zot t’ja rrëmbejë.

Publiku pret edhe të tjera sjellje të pështira gjatë këtyre 22 ditëve deri me 30 qershor, që Veliaj na rrëfen se po i numëron plot ankth, por historia e deritanishme tregon se vështirë se mund të mbërrihen honet që ka ndërmend të eksplorojë kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës, në përpjekje për të bindur Edi Ramën të vijojë përplasjen, pasi vetëm kështu mund të garantojë një fitore pa garë për Tiranën.

Gjithsesi, fushata e Erion Veliajt fshatrave të Tiranës tani ka marrë edhe formalisht pamjen e farsës, prandaj një budallallëk më shumë apo një marri politike më pak se ndryshojnë fatin e 30 qershorit, e rrjedhimisht as e garantojnë qëndresën e marrëdhënies “si mishi me thoin”. 30 qershori është mbytur dhe të identifikosh atë adresë si një liman të qendrueshëm veçse rrëfen agoninë e atyre që do zbresin honeve bashkë me datën.

Login to post comments