Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, ka deklaruar se zgjedhjet vendore në Shqipëri duhet të zhvillohen më 30 qershor dhe do të jetë Gjykata Kushtetuese nëse do përsëriten.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zyrtari i lartë amerikan është shprehur se është për të ardhur keq opozita vendosi të bojkotojë jetën parlamentare dhe zgjedhjet, pasi sipas tij, ato duhen zhvilluar për t’i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Kushtetuese. Më pas, shtoi Palmer, është pikërisht Gjykata Kushtetuese që vendos nëse zgjedhjet do të përsëriten apo jo.
Zëri i Amerikës: Zoti Palmer faleminderit për mundësinë për këtë intervistë. Le të fillojmë me lajmin e fundit. Presidenti Meta shpalli datën e re të zgjedhjeve vendore, 13 tetorin.
Kryeministri Rama këmbëngul për 30 qershorin. Cili është qëndrimi i Departamentit të Shtetit, a duhet të shtyhen zgjedhjet?
Mathew Palmer: Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit.