Gjatë konferencës për imediat që kryeministri Edi Rama dha ditën e martë, mes të tjerave premtoi se praktika e koncesioneve dhe PPP-ve do të vazhdojë nga qeveria e tij. Të nesërmen afër mesnatës ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi njoftimin sipas të cilit ajo ka shpallur procedurën e garës (1-30 Gusht), për një koncesion të ri.
Bëhet fjalë për portin, “Marina Limoni”, në Sarandë i cili do të ketë një kohëzgjatje 35 vjeçare.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur të implementojë projektin për dhënien me koncesion/partneritet publik privat të portit turistik dhe të shërbimeve “Marina Limion”, propozim i kërkuar.
Përzgjedhja e Ofertuesit Fitues do të bëhet në bazë të një procedure konkurruese (procedurë e hapur) sipas kritereve kualifikuese dhe vlerësuese të specifikuara në këtë dokument. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35(tridhjetë e pesë) vjet nga hyrja në fuqi e saj”, thuhet në dokumentin e publikuar.
Sipas MIE kriteret që do të merren parasysh gjatë garës janë; kushtet teknike do të vlerësohen me 35 pikë maksimalisht, kriteri plani i mirëmbajtjes 15 pikë, tarifa konceisonare 15 pikë, kapaciteti financiar 15 pikë, ndikimi social dhe mjedisor 10 pikë, koha e ndërtimit 10 pikë.
Projekti i këtij porti me koncesion do të përfshijë investime të rëndësishme që lidhen me akomodimin e jahteve, sheshe vendqëndrimi për to jashtë sezonit, dushe, tualete, rrymë elektrike, pikë të furnizimit me karburant. Operatoret e interesuar ftohen deri në 30 gusht, datë kur mbetet e hapur gara për dorëzimin e ofertave.
Ndërkohë qeveria Rama, vitin e shkuar vendosi që të kalonte tek një kompani private menaxhimin e portit të Limionit, kundrejt një plani investimesh 25 milione euro.