Krytari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu nuk ka ndër mend të lirojë zyrën për Rakip Sulin, që doli fitues nga zgjedhjet e 30 qershorit. Me 13 tetorin në mendje, Mziu sqaron se do të drejtojë qytetin deri në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ne presim datën 13 Tetor dhe s’e shoh ligjore. Do drejtoj qytetin deri në zgjedhje të lira e të ndershme”, këmbëngul ai.
Rrëzimin e kërkesës së tij nga Gjykata e Tiranës e konsideron politik dhe për këta arsye, thotë se drejtësinë do ta kërkojë në shkallët më të larta të gjyqësorit.
“Kjo dosje do shkojë në Gjykatën e Apelit, do e çoj edhe në Gjykatën Kushtetuese, do bej kallëzim ndaj kancelares e gjykatëses se shkelën ligjin, do ta kallezoj edhe në KLGJ se zgjodhën sistemin elektronik”.
Ndonëse një ndër kryebashkiakët më të ashpër, Mziu premton se nuk do t’i çojë qytetarët në përplasje.
“Nuk më intereson një mbajtje e karriges edhe pse është ligjore. Ju kam sugjeruar mbështetësve që mos e kthejmë në një betejë. Nuk do lejoj gjakderdhje, por s’do lë instrument ligjor pa përdorur ndaj këtij sistemi të kalbur që ka një emër, Ramën e Rilindjen”, deklaron ai në një intervistë për TV Klan.