Ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar qytetarët shqiptarë të mësojnë se ç’pasuri zotëron falë shitjes së drogës, i zgjedhuri nga Edi Rama si kryebashkiak i ri i Shkodrës, Valdrin Pjetri.
“Lexoni pasuritë e Valdrin Pjetrit, - fton Berisha, - nga apartamente luksoze në qëndër të Tiranës, tek hotel luksoz në Farkë, makina klasi, pazare fabuloze me fitime te medha sa çel e mbyll sytë. Kështu është kur zanati i vjetër në burg të fut, por të bënë pasunar!
Lexoni ju lutem artikullin kushtuar ish- të arrestuarit për drogë në Piazza Pucinni të Firences vite më parë, Valdrin Malli tani shkëlqimtar në luks që as në ëndrrat e fëmijërisë nuk i kishte parë! Aferim more Valdrin! Malli t’u ka bërë shëndet, dhjamë dhe pasuri!
Fitoi bashkinë e Shkodrës pa garë, zbardhet pasuria e Valdrin Pjetrit
(Nga Fast News)
Valdrin Pjetri do të jetë kryebashkiaku i parë nga radhët e Partisë Socialistë që drejton Shkodrën, një bastion i Partisë Demokratike që prej viteve 90. Në zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati socialist arriti të marrë 16,540 vota pa pasur një rival.
Pjetri, më parë ka qënë pjesë e administratës publike ku ka mbajtur poste kyçe, si për shembull kryeregjistrues në Zyrën Qendrore të Pasurive të Paluajtshme, apo drejtor i Menaxhimit të aseteve në Ministrinë e Mbrojtjes. Detyra e fundit, përpara se të kandidonte për kryetar bashkie, ishte ajo e prefektit të qarkut Shkodër.
“Faktoje” bëri një verifikim të të ardhurave nga puna në administratë dhe pasuri të tjerave, bazuar në deklarimet e siguruara nga ILDKPKI.
Të ardhurat e Valdrin Pjetrit kanë shënuar luhatje jo të mëdha sa i përket pagës, ku bie në sy një rritje e lehtë në vitin 2017.
Pasuritë e patundshme, makina dhe aksione
Pasuria më me vlerë e Valdrin Pjetrit është ajo e paluajtshme dhe një prej tyre është apartamenti në qendër të Tiranës, me vlerë mbi 219 000 euro dhe garazhin me vlerë 26 000 euro. Apartamentin 122.86 metra katror bashkë me garazhin që kapin vlerën totale prej 245 mijë eurosh, Pjetri thotë se i ka blerë me të ardhura nga familja dhe të afërmit.
Pjetri deklaron edhe një objekt për qëllime hotelerie, në komunën Farkë, për ndërtimin e të cilit ka paguar 7.800. 000 lekë.
Edhe me blerjen dhe shitjen e automjeteve i zgjedhuri në krye të bashkisë së Shkodrës deklaron të dhëna që paraqesin interes.
Në 2015-n, Pjetri ka shitur makinën personale “Mercedes Benz” për 24.000 euro dhe ka blerë një makinë ‘Volksëagen Phaeton” për 600.000 lekë të cilën dy vite më vonë, e shet me çmim më të lartë sesa e ka blerë. E njëjta gjë më automjetin tip Audi, që deklaron se e ka blerë në vitin 2018 me 600 000 lekë dhe brenda po këtij viti e ka shitur për 7500 euro , thuajse 2500 euro më shumë se çmimi I blerjes.
Valdrin Pjetri deklaron se është aksioner me 20% në një kompani ndërkohë që ka blerë një kuotë kapitali prej 13,3 % me shumën prej 3.894.492 lekë.
Detyrimet
Për objektin e hotelerisë që është ndërtuar në 2015-n, Pjetri deklaron se ka shpenzuar 7 800 000 lekë, nga të cilat 5.323.000 i ka marrë si kredi nga banka në vitin 2014 dhe pjesën tjetër, hua nga i ati.
Është interesante që kredinë bankare prej 5.323.000 lekësh Pjetri e deklaron të shlyer brenda një viti, sërish me lekët e të atit.
Gjithashtu në vitin 2018, Pjetri deklaron se ka pasur një detyrim prej 20.000 eurosh ndaj një shoqërie për ndërtimin e një apartamenti, por për shkak se ky apartament nuk është ndërtuar kurrë dhe kontrata është prishur në mënyrë të njëanshme, ky detyrim bie poshtë.
Në deklarimin e fundit që Valdrin Pjetri ka dorëuar pranë rezulton ILDKPKI mungon informacioni nëse e ka shlyer huanë e marrë nga babai i tij, ashtu siç nuk figuron asnjë llogari apo depozitë bankare.