Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se, katër vende të tjera evropiane kanë humbur statusin e tyre të vendeve pa fruth, pasi sëmundja infektive e parandalueshme po përhapet në kontinent.
Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Britania kanë humbur statusin e tyre të vendeve pa fruth mes lëvizjeve në rritje kundër vaksinimit.
Sipas OBSH-së, rastet e fruthit do të dyfishohen në Evropë këtë vit, pasi më shumë vende po humbasin statusin e tyre pa fruth sesa ato që po e fitojnë atë.
“Kjo është hera e parë që ka katër vende në rajonin tonë, Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Britania, që në të vërtetë kanë humbur statusin e tyre të eliminimit të fruthit”, thotë Dr. Siddhartha Datta nga Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën.
Lidhur me këtë fakt reagon edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.
Përmes një postimi në Facebook, Vasili shpreh keqardhjen që arritjen e mëparshme në shëndetin publik të hidhen poshtë, ndërsa nuk kursen as ironinë me kryeministrin Edi Rama.
“Gjynah vërtetë që humbasin edhe ato rezultate madhore në fushen e shëndetit publik, që ishin arritur më parë me shumë mund, profesionalizëm dhe përkushtim.
Mbase nuk e konsideron kazan ky kryeministri ynë edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë”, shkruan Vasili në postimin e tij.