Rrokaj: Opozita marrëveshje me PS jo me Qeverinë

Saturday, 31 August 2019 21:40

Ish-deputeti i LSI, Shezai Rrokaj tha se opozita është e gatshme për bashkëpunim me PS, por kjo e fundit të mos ketë statusin e qeverisë. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Rrokaj u shpreh se opozita do të vazhdojë aksionin me protesta.

Sipas tij, duhet të jetë mazhoranca ajo që duhet të hedhë hapin e para në një bashkëpunim politik. “Opozita gjithmonë e ka shprehur vullnetin e saj për një marrëveshje me PS, një marrëveshje duke mos njohur  statusin e qeverisë së kësaj mazhorance, sepse sipas opozitës kjo qeveri ka ardhur në pushtet me vota të blera. Këtë shtator opozita do të vazhdojë aksionin opozitar të protestës. Opozita ka propozuar pikat e para të bashkëpunimit politik me mazhorancën në 3 drejtimet themelore, që është vetingu në politik, dekriminalizimi i ekonomisë dhe dekriminalizimit të zgjedhjeve. Ky shtator duhet të jetë një apel, refleksion i thellë për mazhorancën e cila duhet të hedhë hapin e parë të bashkëpunimit. Bashkëpunimi nuk mund të vendoset mes një kryetari partie që përfaqëson opozitën që është Basha dhe kryeministrit. Bashkëpunimi bëhet në rangje politike, kryetarë partish”,- deklaroi Rrokaj.

Përfaqësuesi i LSI tha se opozita duhet të vazhdojë me ngulm protestat dhe ti paraqesë shqiptarëve alternativën më të mirë qeverisëse. “Mazhoranca nuk mund të vazhdojë të bëjë sikur është në shinat e drejta të demokracisë, nga ana tjetër opozita duhet të vazhdojë me ngulm protestat dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët, për ti sensibilizuar më shumë ndërkombëtarët. Mbi të gjitha Opozita duhet të ketë dy detyra themelore, farë u propozon gjë të re shqiptarëve dhe me cilin ekip ajo kërkon besimin e qytetarëve shqiptarë në qeverisjen e ardhshme. Kjo rrugë shpie në rritjen e fluksit të atyre që e kërkojnë ndryshimin”,- tha Shezai Rrokaj.

Login to post comments