Shqipëria, shtet i falimentuar, urgjent qeveri tranzitore

Tuesday, 10 September 2019 10:28

Publikimi i raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, treguan se nuk pati një certifikim ndërkombëtar për to. Kriza e zgjatur politike në vend, dalja e Presidentit të Shqipërisë përpara një komisioni hetimor, si dhe manipulimet me zgjedhjet në vend, përbejnë një çështje alarmante për Drejtorin e Institutit të Studimeve Ballkanike dhe të Lindjes se Mesme (IFIMES) në Slloveni, Zijad Beçiroviç.

Gjatë intervistës për gazetën “Shekulli”, Beçiroviç thekson faktin se Edi Rama e ka kriminalizuar politikën në vend. Sipas tij nuk ka një shembull të tillë të marrëdhënieve të ndërlikuara midis një Kryeministri dhe një Presidenti. Tjetër shqetësim për Beçiroviç është edhe përdorimi i retorikës nacionaliste të Kryeministrit Edi Rama.

Afrimi i tij me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin shikohet si një përpjekje për të mos rrezikuar pushtetin e tij persona. Nëse rrezikohet Thaçi, të njëjtin fat do të ketë edhe Edi Rama.

Dr. Beciroviç, ka një krizë të vazhdueshme politike në Shqipëri. Cili është mendimi juaj për këtë?

Në çdo kapilar dhe në çdo segment të Shqipërisë ndihet kriza. Mirëpo, kriza politike pamundëson realizimin e reformave të shumta, të cilat janë të nevojshme për shoqërinë shqiptare dhe shtetin si të tillë. Shqipëria është e “kapur”, në të janë “vjedhë” institucionet e shtetit dhe si rrjedhojë janë të bllokuara të gjitha proceset në të. Kjo situatë pa dyshim i konvenon regjimit të Edi Ramës, që asnjë gjë mos të lëvizë. Më shqetëson fakti, pse i tolerohen të gjitha këto Edi Ramës, posaçërisht kur thërret për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, mbasi Shqipëria është anëtare e NATO-s, e cila nuk është vetëm aleancë ushtarake por, njëkohësisht është aleancë e shteteve demokratike që implementojnë standardet e larta demokratike. NATO mbron integritetin territorial të anëtareve të veta dhe nga kjo “thirrje” e tij për bashkim. Posaçërisht kur NATO është fuqimisht prezent në Kosovë. Këtë retorikë të rrezikshme dhe veprimtarinë kriminale dhe korruptive të Ramës është dashur ta parandalojë vetë NATO. Nuk dua të besoj se përkrah zyrtarëve të lartë të BE, Rama ka korruptuar dhe NATO-n! Shqipëria është model i “politizimit të kriminalitetit dhe kriminalizimin e politikës“, kurse KESH-i si korporatë energjetike shtetërore është strofull e kriminalitetit dhe korrupsionit.

A jeni optimist për Reformën e Drejtësisë në Shqipëri dhe impaktin e saj në të ardhmen?

Ashtu sikurse e ceka më lart, në Shqipëri, në këtë situatë të krijuar, nuk është e mundur të realizohet asnjë reformë. Shqipëria është shtet i bllokuar. Asgjë pozitive nuk është e mundur që të lëvizet për deri sa nuk zgjidhet kriza politike e cila tashmë është nyjëzuar edhe më tepër pas mbajtjes së zgjedhjeve jo-legale lokale me 30 qershor 2019. Serish, Rama në këto zgjedhje kishte personazhe të cilët ishin të plotfuqishëm dhe të dënuar, duke i fshehur ata, sikurse ishte rasti i Valdrin Pjetrit, kryebashkiaku i “zgjedhur” i Shkodrës në zgjedhjet jo-legale. Agim Kajmaku (Jorgo Toto), kryebashkiaku i Vorës dhe raste të tilla ka sa të doni brenda Partisë Socialiste. Shqipëria nuk ka fuqi të brendshme të çojë përpara reformat në drejtësi. Pa stabilitet politik një gjë e tillë nuk është e mundur të realizohet. E gjitha do te iniciojë një valë të re të ikjeve të shqiptarëve në Evropën Perëndimore, zvogëlimin e investimeve të jashtme duke e rrezikuar turizmin shqiptar, i cili është i lidhur ngushtë me stabilitetin politik dhe siguri e që nga dita në ditë është më i vogël.

Beçiroviç: Në Shqipëri duhet të formohet qeveria e tranzicionit

Gjatë intervistës për “Shekullin”, Zijad Beçiroviç flet edhe për idenë e krijimit të një qeverie të tranzicionit e cila do të përgatisë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.

 Si e shikoni divergjencat midis Kryeministrit Rama dhe Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta?

Edi Rama fillimisht ishte “çun që premtonte shumë”, mirëpo, shpejt doli në pah, se qëllimet e tij ishin tejet të ndryshme. Në vend që të behet lider politik në rajon e që do të ishte mburrje për rajonin, ai, përkundër u bë lider me kriminalitet dhe korrupsion. Zgjedhjet parlamentare të viti 2017 ishin brutale, te vjedhura, të blera, dhe të ndihmuara me bosët e nëntokës. Kështu Shqipërisë dhe shqiptarëve iu shkaktua dem i madh, do të thoja i pariparueshëm. E mbi të gjitha kur ai u lidh me kryetarin e Kosovës Hashim Thaçin, nuk kishe më kthim mbrapa në normalitet. Mu për këtë shkak Edi Ramën e shqetësojnë zgjedhjet në Kosovë dhe rënia e regjimit të Hashim Thaçit sepse rënia e tij do të përshpejtojë rënien e Edi Ramës. Në anën tjetër Ilir Meta pa dyshim është politikani më me eksperiencë në Shqipëri i cili është koshient se çfarë sjell një situatë e tillë politike qytetarëve të vendit dhe shtetit, e posaçërisht marrëdhënieve ndërkombëtare. Pikërisht për këtë shkak ai i dekretojë zgjedhjet lokale me 13 tetor 2019. Për udhëheqjen e shtetit, të përzgjedhurit, duhet të tregojnë seriozitet dhe përgjegjësi duke bashkëpunuar për interes të shtetit dhe qytetarëve të tij, duke anashkaluar emocionet qe bartin me vete. Nuk ekziston asnjë shtet në Evropë që ka marrëdhënie të tilla në mes Kryetarit të shtetit dhe Kryeministrit, sikurse është rasti i Shqipërisë

Po në lidhje me integrimin e Shqipërisë. A jeni optimist se Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Evropian në muajin Tetor?

Sinqerisht do të doja që Shqipëria të merrte datën për fillim të negociatave me BE në tetor të këtij viti. Ajo ka potenciale të mëdha dhe tani të gjithë e shikojnë atë si një rast të veçantë. Kjo krizë politike duhet të ndërpritet sa më parë dhe të filloj debati në mes aktorëve të PS dhe PD që të shkohet te zgjidhja. Nga eksperienca del se duhet formuar qeveria e tranzicionit e cila do të përgatiste zgjedhjet parlamentare të cilët duhet të ishin të ndershme si dhe transparente, me mundësi të njëjta për të gjithë. Mendoj se Edi Rama gabon nëse mendon se kështu mundet të udhëheq shtetin pavarësisht nga rezultatet paraprake. Ai mendon se gjithçka është në shitje, pra edhe njerëzit. Ai ka pas mundësi të blej disa zyrtarë të lartë të PD të cilët u larguan nga PD. Me rëndësi është të stabilizohet shteti, ti kthehet besimi shqiptareve në politikë duke punuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit. Strukturat kriminale dhe korrupitve nuk i duan institucionet, sepse po që se do të ekzistonin ato institucione të forta kriminaliteti do te ishte minimal, në rend të parë ai politik. Frikësohen se Edi Rama dhe oligarkia e tij kriminale në samitin e BE në tetor do të rezultojë si shans i humbur i Shqipërisë. Ai ndoshta e pret atë samit dhe shpreson në dhënien e datës për fillim të negociatave në mënyrë që të arsyetojë qeverisjen e tij të deritanishme./SHEKULLI

Login to post comments