Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 12 vite burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa ky i fundit, teksa e quajti procesin të montuar politikisht, kërkoi nga Gjykata shpalljen e tij të pafajshëm.
Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, prokurori kërkoi për Tahirin dhe ishdrejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën, dënimin me nga 8 vite burg përfundimisht. Në një seancë, e cila zgjati më shumë se 8 orë, tre prokurorët e çështjes, Arens Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, lexuan pretencën duke renditur provat dhe faktet që sipas tyre, vërtetojnë fajësinë e ish-ministrit në trafikimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupit kriminal.
Ndërkohë, Gjykata e shtyu seancën për në datën 19 shtator, kur do të lexohet mbrojtja e Jaeld Çelës dhe më pas treshja gjykuese do të tërhiqet për të dhënë vendim. Duke e nisur me një pasqyrim të aktivitetit të grupit të ashtuquajtur të Habilajve, në Vlorë, me një sërë përgjimesh të kryera ndaj Taulant Haxhirajt, i dënuar për kultivimin e drogës së grupit dhe lëvizjet e punonjësve të Policisë në këtë zonë, Akuza tha se ky grup ka pasur mbështetjen e zyrtarëve të Policisë në aktivitetin kriminal.
Në disa raste, fjala e prokurorëve u ndërpre nga ish-ministri dhe avokati i tij, të cilët kërkuan nga prokurorët të lexonin faktet penale të cilat i atribuoheshin atij dhe jo personave që tashmë janë dënuar dhe nuk kishin lidhje me procesin që po zhvillohej. Me gjithë pretendimet e ngritura nga mbrojtja, për Prokurorinë ishte e nevojshme pasqyrimi i aktivitetit për të parë rolin e Policisë.
PRETENCA
Prokuroria për Krime të Rënda është mbështetur në një sërë përgjimesh mes anëtarëve të grupit kriminal në pretencën e lexuar dje. Duke analizuar përgjimet, Akuza ka dalë në përfundimin se nga bisedat kuptohet që ata kishin mbështetjen e Policisë së Vlorës. Por, përgjimet u panë me skepticizëm nga Saimir Tahiri, i cili tha se Prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim për verifikimin e vërtetësisë së këtyre përgjimeve dhe në asnjë rast nuk vërtetohet se trafikantët janë duke folur për të, apo edhe për ndonjë nga Policët. Nga përgjimet e lexuara dje ishte edhe një ku dëgjohet, sipas Prokurorisë, një trafikant duke folur me ishpolicin Gjergji Kohila.
“Mesazhet e shkëmbyera ndërmjet komunikuesve ‘Agushi’ dhe ‘Fiati’ (ky i fundit përdorej nga Gjergj Kohila) tregojnë dhënien e informacioneve nga ky i fundit, për hetimet e kryera, konkretisht: ‘Agushi: O vlla si je, ca bëhet? Po lëviz, vllai, nëpër Vlorë, po thjesht me familjen, s’bëj asgjë, të dal normalisht vlla… se janë hap llafe, janë prerë ca urdhër arresti, vlla, për mua, atë kushëririn tim, e ca çuna të tjerë… apo llafe Vlore? Fiati: Unë s’di gjë vëlla. Por duhet të ketë prova që të priten urdhra arresti. Ju kanë kapur gjë!? Po s’ka prova, s’ka urdhër arresti. Njerëzit ju dinë në burg. Po me këto intriga që bëre ti me atë timin, çuditen kur ju shohin jashtë. Agushi: Ca intriga bëra unë, o vlla?! Vetëm un s’bëj intriga. Të përshëndeta qëparë, s’më pe. Mua ma bënë intrigën, më morën në qaf, po varja o vlla, po të jetë ndonjë gjë, më thuaj të ndërhyjë. Në Tiranë kam njerëz. Po ç’ne na dinë në burg ne, ca kemi bërë apo baçja jonë, ne përballë i kishim, dhe është me 100 mijë rrënjë, nuk i shikojnë, kjo jona dukej! Hahhahaha. Fiati: Hahahahaha Agushi: 0 vlla, të rri vllai i qetë në shtëpi, se vetëm te llafi jot kam besim. Fiati: Ri o vëlla. Unë kam sjell atë timin në punë. Po nuk është se dukej baçja. Dukeshit ju më shumë se baçja. Sikur kishit 200 mijë. Agushi: Ok vlla, ore të pyes ty unë, pa atë se pyes më unë, varja iku ajo, rëndësi ka të jemi të qetë tani, vlla”, thuhet në dosje.
TRAFIKU I DROGËS
Prokuroria tha dje se Tahiri dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaled Çela, janë nën akuzë për 4 raste të trafikut të drogës. Duke iu referuar pretencës, bëhet fjalë për rastet e kapura më 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe episodi i katërt më 02 maj 2015. Në lidhje me këtë pretendim të organit të Akuzës, Tahri bëri një mbrojtje të gjatë, duke e konsideruar si pikën kyçe, ku edhe Prokuroria duhet të kishte saktësuar rolin e tij. “Në asnjë rresht të pretencës nuk dëgjova rolin tim në rastet e trafikut, çfarë kam bërë unë që jam pjesë e grupit”, tha Tahiri. Prokuroria pretendon se nëpërmjet funksionit që ka pasur, ish-ministri mund të ketë ndikuar në fikjen e radarëve që të mos konstatoheshin dhe goditeshin rastet e trafikut, por për Tahirin ky dyshim rrëzohet.
“Prokuroria pretendon se janë fikur radarët dhe pse nuk ma atribuon direkt mua, e lë të kuptohet që mund ta kem bërë unë. Por kjo nuk qëndron, dua të theksoj se unë i kam dërguar shkresë sekrete Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me mosfunksionimin e radarëve. Këtë e kam bërë pak pasi erdha në detyrë, si thoni ju, se si pjesë e këtij grupi unë do punoja kundër tij? Nëse unë i kam mbështetur ata, do të kërkoja vënien në punë të radarëve?!”, tha Tahiri. Sipas tij, ai ka dërguar 6 shkresa në Ministrinë e Mbrojtjes për vënien në punë të radarëve, pasi kishin konstatuar se mungesa e tyre po përdorej nga trafikantë. “Unë kam qenë ministri i parë që e kam bërë një gjë të tillë”, tha Tahiri. Ky i fundit shtoi se në datat kur rezulton se ka ndodhur episodi i tretë i trafikut, ka dërguar një nga shkresat, ku i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes që të vendoset një oficer i “Guarda di Finanza” në Qendrën e Monitorimit të Radarëve.
PAPREKSHMËRIA
Prokuroria pretendon se grupi kriminal i Habilajve ishte i paprekshëm dhe se këtë paprekshmëri e kishin siguruar nga lidhjet që kanë pasur me ish-ministrin dhe funksionarët e Policisë lokale në Vlorë. “Nga hetimi ka rezultuar e provuar se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Armand Kocerri, Sabaudin Çelaj, Tigrens Mezuraj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Armando Sulaj, janë ndihmuar dhe mbështetur në aktivitetin e tyre kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, nga ana e funksionarëve të lartë të Policisë lokale Vlorë, si dhe të të pandehurit Saimir Tahiri me cilësinë e ministrit të Brendshëm”, lexoi Prokuroria.
Duke iu përgjigjur Prokurorisë, Saimir Tahiri, solli si provë, me qëllim për të vërtetuar se mbështetja që pretendohet se kishte ky grup nuk është e vërtetë, të paktën jo nga ai: “Në vitin 2013, kur unë kam qenë ministër i Brendshëm, Moisi dhe Florian Habilaj janë proceduar penalisht për ‘Vetëgjyqësi’ dhe ‘Heqje e lirisë pa të drejtë’. Edhe në vitin 2014, Florian Habilaj është proceduar sërish për akuzën e ‘Vjedhjes’ së një makine në vendet e Bashkimit Evropian. Nëse do të kishin mbështetjen e ministrit të Brendshëm, si ka mundësi që Polica në çdo rast ka bërë punën dhe referuar në Prokurori këta persona? Mendoni se po të kishte një mbështetje të tillë nga unë, do të referohej nga një polic i thjesht për një vepër të lehtë penale?!”, tha Tahiri. Ndërsa kujtoi operacionin antikanabis në Lazarat, ai tha se në momentin kur rezulton se ky grup ka kryer dy raste të trafikut, ka qenë duke u zhvilluar ky operacion me mijëra Policë. “Ju thoni se në kohën që ne bënim ndërhyrjen me mijëra Policë në Lazarat, unë ndërkohë isha duke bërë edhe trafikim të lëndëve narkotike”, tha Tahiri.
KONTROLLET
Duke vazhduar t’i përgjigjet akuzave të Prokurorisë se ai dhe zyrtarë të Policisë i kanë krijuar mbështetje Moisi Habilajt dhe grupit, ish-ministri pretendoi se në shumë raste kur kushëriri i tij futej në pika kufitare i është kërkuar nga punonjës Policie që të priste pasi do t’i kryhej një kontroll në vijën e dytë. “Kontrolli në vijën e dytë do të thotë se është një kontroll i imtësishëm. Nëse do të kishin mbështetjen time, ju thoni se do kishte lirinë që një polic atje t’i bënte këtë lloj kontrolli?!”, përfundoi Tahiri.
KUNDËRAKUZA
Ndërsa u akuzua se mbrojtja që Habilajt kishin nga ai dhe policët në Policinë e Vlorës, kishte bërë që ata të mos referoheshin dhe viheshin nën hetim, ish-ministri Tahiri tha se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se edhe referimi për procedimin ku ai është marrë i pandehur, është referuar nga Jaeld Çela. “Në momentin që policët i kanë referuar këta persona në Prokurori, edhe në atë të Krimeve të Rënda, mos duhet të aludojë unë se prokurorët kanë bashkëpunuar me ta duke mos bërë punën e tyre”.
Tahiri pretendoi se janë 5 shkresa të firmosura nga Jaeld Çela për shkatërrimin e parcelave që supozohet të ishin kultivuar nga Habiljat dhe në të 5 shkresat janë referuar këta persona me emra. Edhe referimi për këtë procedim, sipas Tahirit është bërë nga Policia e Vlorës. Gjatë seancës, ish-ministri zbardhi një email që polici Gjergji Kohila, që është i bashkëpandehur me të, i ka dërguar prokurorit Dritan Prençi. “Një ditë para regjistrimit të procedimit për Moisi Habilajn, Dritan Prençi ka marrë një email ku referoheshin Habilajt. Këtë email e ka nisur Gjergji Kohila. Kështu i bie që ne si bandë kemi denoncuar njëri-tjetrin përditë. Si mund të ndodh që një anëtar i bandës ka denoncuar grupin dhe është marrë i pandehur? Kur Prokuroria mendon se unë i kam dhënë mbështetje, atëherë edhe unë mund të pretendoj se këta persona që janë referuar 4 herë nga Policia në Prokurori janë mbrojtur nga këta vetë”, tha Tahiri.
Ky i fundit shtoi se në tri rastet e para të trafikut, Jaeld Çela që akuzohet se është një nga personat që kanë mbrojtur Habilajt, nuk ka qenë fare në drejtimin e Policisë së Vlorës. “Me kë e kam bërë bandën unë?! Kë kam udhëzuar që të mbronin Habilajt, kur këta policë, më të cilët supozohet se kam bashkëpunuar, nuk ishin në punë në Vlorë?”, tha Tahiri.
POLITIKA
Gjatë seancës së djeshme nuk mbetën jashtë edhe deklarata që prekën emra të njohur të politikës në vend, deri edhe te Kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që në mbrojtjen e tij, Saimir Tahiri tha se nga hetimet e Prokurorisë nuk ka rezultuar asnjë pasuri jashtë vendit në emër të tij dhe familjarëve apo të afërmve të tij dhe se janë verifikuar edhe hotelet ku ka qëndruar kur ka shkuar jashtë. “Unë kam qëndruar në hotele që maksimumi shkonin në 140 euro nata, jo si kjo tjetra që doli me 900 euro”, tha Tahiri në Gjykatë, duke iu referuar akuzave të fundit për ministrat e qeverisë. Këtë thënie e shpjegoi edhe jashtë për mediat, ku tha se kjo nuk ishte kod, pasi ishte treguar shumë i drejtpërdrejtë.
“S’kam asnjë kod, unë jam shumë i drejtpërdrejtë, përtoj të gënjej, e kam kollaj të them çfarë mendoj drejtpërdrejt. E përmenda atë që unë kam shpenzuar 140 euro, ndërsa të tjerë 900 euro nata në hotel, siç përmenda edhe veten se më kanë akuzuar që kam përdorur hotel 1 mijë euro nata. Unë faktoj me letërporosi nga të gjitha vendet e BE-së që thonë se unë nuk kam asnjë pasuri, asnjë tokë, asnjë shtëpi, as një makinë në ato vende dhe nuk kam pasur shpenzime marramendëse. Siç jua ka hedhur Prokuroria, që thotë se ka fjetur me 1 mijë euro, prova më e mirë është ajo që dhashë në Gjykatë, ku autoritetet italiane kanë pyetur çdo hotel dhe çdo restorant ku kam ndenjur kur isha ministër dhe maksimumi ishte 140 euro”, deklaroi ai për mediat.
EDI RAMA
Në pretencën e lexuar këtë të martë, renditeshin edhe përgjimet e autoriteteve italiane, ku Moisi Habilaj dhe anëtarë të tjerë dëgjohen të flasin për ish-ministrin, ndërsa diskutojnë se sa shpenzon ai për fushatë dhe dhuratat që pretendojnë se janë blerë për të dhe familjarë të tij. “Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri”, njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë, sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu ia kthen duke i thënë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thuhet në dosje.
“Këto janë biseda fare banale, dinë ata sa unë shpenzoj për fushatë dhe paskam shpenzuar 20 mijë euro, po nëse edhe prokurorët e besojnë këtë, atëherë duhet të kishin hetuar duke filluar nga Edi Rama dhe çdo person tjetër pas se nga vijnë këto para”, pohoi Tahiri, duke mos zgjedhur të komentojë më shumë. Në përgjime flitet edhe për blerjen e një kostumi “Hugo Boss” për ish-ministrin, për të cilin ky i fundit tha me ironi se kjo ishte absurde dhe se nuk mund të ndodhte që “të shkulet një ministër i Brendshëm të shkojë në fund të botës, ku është Katania, për një kostum”.
Ndërkohë, gjatë momentit që prokurori ishte duke i lexuar këto përgjime, nënqeshja ironike nuk mungoi në fytyrën e ish-ministrit, i cili kundërshtoi dje se ka lidhje dhe njohje me ata persona që flasin për të dhe se nuk e dinë nëse ishte “kryeministër apo ministër”. Një nga përgjimet e lexuara dje ishin edhe dy biseda të Habilajve, të cilët diskutojnë për takimet me “shefin e madh”. Këto përgjime, thotë Prokuroria, vërtetojnë se shefi i madh është në Tiranë, por ata nuk identifikojnë se kush është ai.
“Mesazhet e shkëmbyera (në datë 16.04.2016) nga komunikuesit Aliej dhe “Agushi” (Taulant Haxhiraj), tregojnë se ky i fundit ka marrë garanci nga strukturat e shtetit për të gjetur toka në zonën e fshatit Kuç, Vlorë, për kultivimin e bimëve narkotikëve, konkretisht: Aliej: Andej, me garanci ta morën përsipër, vëllaa? Agushi: Po ma morën vlla. Aliej: Apo në ajër?! Agushi: Po s’ka garanci, të saktë fare. Thanë kaq pak do i mbroj?! Aliej: Po të vëmë më, ka vend për të mëdha? Agushi: Po të saktë fare s’e kam, se mos i lëvizin? Aliej: Vlla, je marr vesh, vëlla. Agushi: vlla, vend ka po akoma s’kanë marr garanci ata kushot e ministrit…dhe të bëj garantin e të dal ndryshe, vlla. Aliej : Të marr vesh, vlla”, lexuan prokurorët. Nga ana tjetër, ish-ministri Saimir Tahiri tha se pavarësisht se Prokuroria i lë të nënkuptuara dhe nuk ia atribuon atij dhe Jaeld Çelës direkt, sërish dyshimet nuk i ka të provuara se shefi i madh apo kushëriri është ai, pasi nuk është bërë asnjë verifikim në drejtim të kësaj.
“Taulant Haxhiraj, i cili rezulton në përgjime të ketë thënë se ‘nuk kanë marrë akoma garanci ata kushot e ministrit’, nuk është marrë asnjëherë në pyetje”, tha ish-ministri. Sipas këtij të fundit, një veprim i tillë në funksion të hetimeve duhet të ishte bërë nga Prokuroria, pasi në asnjë rast nuk vërtetohet se është ai, sepse mund të ishte edhe ndonjë person tjetër, një tjetër ministër nga Vlora. “Nga e dinë prokurorët që kushëriri i ministrit, bëhet fjalë për mua, mund të ishte për ndonjë tjetër ministër nga Vlora, që ka prona atje”, shtoi Tahiri. Në mbrojtjen e tij, Tahiri u është futur edhe analizave të fjalive. “Edhe vetë fjalia e përdorur nga personi që është përgjuar nuk tregon asgjë. Ai thotë se ‘nuk kanë marrë garanci akoma kushot e ministrit’. Kjo fjali nuk tregon se ata do të marrin garancinë nga dikush lart, apo vetë kushëriri i tyre. Nëse do të ishte kështu, fjalia do të duhej të ishte ‘nuk kanë marrë garanci akoma kushot nga ministri’, tha ai.
DËSHMITË
Në pretencën e Prokurorisë janë renditur edhe një sërë dëshmish, që sipas Akuzës vërtetojnë njohjen e ish-ministrit me Habilajt. Udhëtimi për në Greqi në verën e vitit 2014 me makinën “Audi” është parë me detaje nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në pretencë janë zbardhur të gjitha lëvizjet e ish-ministrit, bërë në shtetin grek, dhe më pas të gjitha lëvizjet e skafit, që sipas Prokurorisë, një muaj më vonë është marrë nga Moisi Habilaj për t’u rregulluar në një servis në Itali. Këto dëshmi, sipas organit të Akuzës, vërtetojnë marrëdhënien e ish- ministrit Tahiri me kushërinjtë e tij, megjithëse ai ka thënë se janë të largët.
Gjatë ditës së djeshme u lexua edhe një dëshmi e një oficereje Policie, e cila rezulton se ka udhëtuar jashtë me Moisi Habilajn disa herë. Ajo ka shpjeguar se Habilaj i ka thënë se kishte mbështetje të fortë në kryeqytet, por sa herë i përmendej emri i Saimir Tahirit, ai acarohej sepse mendonte që pyetjet ishin tendencioze.