Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare: 'Shqiponjat' po e lënë folenë e tyre nga korrupsioni

Premte, 20 September 2019 13:37

Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare i ka drejtuar një mesazh besimtarëve katolikë shqiptarë , me rastin e 5- vjetorit të vizitës së Papë Françeskut në Shqipëri.

Në këtë mesazh thuhet:

Të dashur besimtarë katolikë!  U bënë 5 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, datë 21 shtator 2014. Ishte vizita e tij e parë në një vend Evropian. Po ashtu, tetori i këtij viti, është edhe muaji i jashtëzakonshëm misionar që po ky Papë ka shpallur për të gjithë Kishën Katolike.

Me këtë mesazh drejtuar juve të dashur bij dhe bija të Kishës Katolike, si edhe njerëzve me vullnet të mirë, dëshirojmë t’u bëjmë jehonë këtyre dy ngjarjeve.

Më së pari falënderojmë Papa Françeskun për ardhjen e tij mes nesh e i urojmë jetë, shëndet e forcë në misionin e tij si Bari universal i Kishës dhe si mik i mirë i vendit tonë. “Shqiponjat fluturojnë lart por nuk e harrojnë kurrë folenë e tyre”. Këto fjalë të thëna 5 vjet më parë nga Papa Françesku në sheshin Nënë Tereza.

 Të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve fetare dhe politike, e pritën krahëhapur Papën, i cili vinte si një njeri i paqes dhe i dashurisë.

Gjatë këtyre 5 vjetëve Shqipëria ka bërë hapa përpara në zhvillimin e saj shoqëror, ekonomik e shpirtëror. E për këtë falënderojmë Hyjin.

Konstatojmë gjithashtu se në këto vite shumë “shqiponja” e kanë lënë folenë e tyre. Kemi parë të ikin familje, të rinj e të reja. Përveç lirisë që secili gëzon të lëvizë ku mendon se është më mirë për të dhe familjen e tij, nuk mund të mos konstatojmë me keqardhje se situata e vazhdueshme e tensionuar shoqërore, mungesa e një zhvillimi ekonomik integral dhe gjithëpërfshirës, mungesa e vendeve të punës ose ekzistenca e vendeve të punës të nënpaguara e jo të paguara mjaftueshëm, niveli i ulët shkollor si dhe ofrimi i vakët i asistencës mjekësore, kanë qenë dhe janë shkaqet e largimit të shumë njerëzve.

Të gjithë kemi përgjegjësi për vendin tonë e prandaj ne besojmë se ekzistojnë mundësitë e një bashkëpunimi dhe dialogu për të çuar vendin përpara e për t'i dhënë fund tranzicionit.

 Prosperiteti ekonomik nuk mund të shkëputet nga ai i vlerave njerëzore, morale e shpirtërore. Për sa të jetë në fuqitë e në dorën tonë si Kishë katolike do të bëjmë më të mirën tonë. Prandaj ky mesazh u shkon më së pari atyre katolikëve që janë të angazhuar në jetën shoqërore dhe politike, në media dhe në strukturat akademike.

Katolikët duhet të jenë për shoqërinë pjesë e zgjidhjes së problemeve e jo pjesë e shkaktimit të tyre. Ne inkurajojmë ato të rinj e të reja, që dëshirojnë të merren me të mirën publike, që të mos ngurrojnë të hidhen në arenën e debatit dhe të konkurrencës për t’i dhënë më të mirën vendit tonë.

Ne do t’ju mbështesim kur të shohim se angazhimi juaj është i sinqertë, jo konfliktual dhe i pakorruptuar. Ashtu sikurse distancohemi me ato raste kur katolikët nuk kanë qenë e nuk janë shembulli më i mirë i angazhimit shoqëror dhe janë bërë pjesë e kriminalitetit dhe e regresit të vendit tonë. Ne duhet, së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, pavarësisht bindjeve politike e fetare, e përtej tyre, të zhvillojmë ndjeshmërinë e punës dhe interesit për të mirën e vendit.

Nuk është detyra e ne ipeshkvijve të japim zgjidhje politike apo ekonomike, por të inkurajojmë e nxisim ato zgjidhje që shkojnë në drejtimin e duhur. Njëkohësisht duam të jemi zëri i atyre që janë viktima të varfërisë e të përjashtimit social e kundër atyre zgjidhjeve që dëmtojnë dinjitetin e njeriut dhe të familjeve shqiptare.

Zbrazja e “folesë” së përbashkët mbetet një plagë e hapur që na rëndon të gjithëve. Në fjalimin e tij Papa Françesku na porositi edhe që të krishterët katolikë, së bashku me ne ipeshkvijtë, të gjejnë mënyra të reja pranie në shoqërinë shqiptare. Ky është sensi i misionit: gjetja e rrugëve të reja që Shpirti i Shenjtë na sugjeron për të qenë një prani krijuese dhe pozitive në shoqëri.

Ne jemi bartës të një mesazhi shprese dhe dashurie për të gjithë njerëzit në emër të Krishtit. Prandaj nuk duhet të kemi frikë si Kishë dhe si të krishterë të dalim jashtë prej frikës e të provojmë rrugë të reja misionare.

Kremtimet e muajit të tetorit, në Shkodër me datë 1 tetor dhe në Vlorë me datë 26 tetor, duan të jenë nisja e një epoke të re të Kishës tonë në Shqipëri.

Ndërsa falënderojmë ende Papën për ardhjen e tij ju përshëndesim të gjithëve me fjalët e Krishtit të Ngjallur: Paqja qoftë me ju! Ipeshkvijtë tuaj.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...