Intervistë nga MARIGLEN KUME/
Ish-deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi, u kanë propozuar ekspertëve të Komisionit të Venecias, të cilët ishin javën e kaluar në Shqipëri, që të anulohen të gjitha ligjet e miratuara në 6 vitet e fundit për pronat.
Javën e kaluar ju patët një takim me ekspertët e “Venecias” për çështjen e pronave. Çfarë u diskutua në atë takim?
Ne patëm mundësinë të shpjegojmë situatën në të cilën ndodhet çështja e pronave mbas 6 vitesh qeverisjeje të Ramës. Të mos harrojmë asnjë vendim, asnjë ligj nuk ka qenë i izoluar, ose i pamenduar, por të gjithë kanë një qëllim, marrjen e pronës private dhe zaptimin e asaj publike. Ligji për kompensimin e pronës ngre një mekanizëm që zhvlerëson pronën private dhe përdor një sistem shpërblimi të njëjtë më vlerën para 1945. Ligji për Korporatën e Investimeve është përsëri në shërbim të oligarkëve për të përdorur toka publike dhe private nën një sistem dhe mënyrë jo kushtetuese, ligji i investimeve strategjike, ligji i kadastrës, të gjithë nën një qëllim. Ndërkohë që ligje speciale dhe specifike kanë kaluar në Parlament, si ligji i Teatrit ku qartësisht favorizohet kompania “Fusha” për të marrë dhe shfrytëzuar troje publike, që është akoma dhe më e rëndë duke tentuar për të prishur dhe vepra të mbrojtura si Teatri Kombëtar. Patëm mundësi të prezantojmë dhe zgjidhjen tonë si një mënyrë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, jo vetëm si një prioritet i BE-së, por si e drejtë themelore e njeriut.
Ju thoni më sipër se patët mundësi t’i ofronit Komisionit të Venecias zgjidhjen tuaj. Mund ta bëni publike se cila është ideja juaj për të zgjidhur një nga shqetësimet më të mëdha në 30 vitet e fundit për shqiptarët, por edhe për investitorët e huaj?
Së pari, propozuam pezullimin e të gjitha ligjeve antikushtetuese të 6 viteve të fundit, që cenojnë të drejtën e pronës si fjala vjen; Ligjin e investimeve strategjike, Ligji në kompensimit të pronës të vitit 2015, Ligjin e kadastrës e kështu me radhë. Po kështu, propozuam krijimin e një databaze të të gjitha pronave publike, që sot po jepen për 1 euro dhe vendosja e tyre në dispozicion të pronarëve. Hartimi i një ligji të ri që njeh konceptin e pronës dhe të kthimit të pronës, që sot me ligjin e vitit 2015 është zhdukur.
Znj. Tabaku, ju keni reaguar menjëherë pas rrëzimit të dekretit të Presidentit për korporatën e investimeve. Si realizohet vjedhja e pronës private, sipas jush, nëpërmjet këtij ligji? Cila kategori e shoqërisë preket nga ky ligj?
Ligji i Korporata e Investimeve Shqiptare është një krijesë e kryeministrit Rama dhe qeverisë për të gllabëruar pronat publike dhe më tej ato private të Shqiptarëve. Sipas projektligjit, qeveria shqiptare i jep të drejtën vetes që të krijojë këtë korporatë dhe më pas do t’i kalojë asaj me VKM trojet apo pronat e caktuara nga autoriteti lokal apo ministror në fondin e saj. Sipas një varianti të Ligjit, do të jenë këto prona kapitali i kësaj korporate në treg. Sipas ligjit, Korporata e Investimeve ka të drejtë të menaxhojë thuajse të gjitha pronat publike të shqiptarëve. Projektligji bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Korporata ka të drejtë të përdorë kapitalin imobiliar (pra tokat) për të tërhequr kredi dhe për të kryer bashkëpunime, ashtu sikundër një korporatë e zakonshme. Projektligji argumenton se Korporata e Investimeve Strategjike do të operojë jo në bazë të Ligjit të Prokurimeve Publike, por në bazë të prokurimeve specifike që bien në kundërshti me parimet kushtetuese dhe logjikën e prokurimit për pronat publike. Ligji i jep mundësinë KISH që përmes VKM-ve të marrë edhe pronën private të qytetarit, të cilin shteti mund ta përllogarisë si gjoja në interes publik. Kështu, pronat në bregdet apo në zona të lakmuara të vendit mund të gllabërohen nga KISH, gjoja për interesa publikë, për t’iu dhënë disa “investitorëve” të huaj që do të bashkëpunojnë me KISH (pra kryeministrin). Si përfundim, grupet që preken më shumë nga ky ligj janë pronarët dhe padyshim prona e përbashkët publike. Ligji i jep pushtet mbi pronën një njeriu që është arkitekti dhe CEO i Korporatës së Investimeve Shqiptare. Projektligji për KISH është vazhdimësia e një rruge të nisur me ligjin për investimet strategjike (që ua vjedh pronën pronarëve, për t’ua falur gjoja investitorëve), ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës të vitit 2015, ligjet me emrat e biznesmenëve që janë votuar këto 2 vitet e fundit masivisht në Parlament.
Znj. Tabaku, në fundjavë, kryeqyteti dhe disa qytete u prekën nga një tërmet i fortë, si u menaxhua sipas jush kjo situatë
Dua të falënderoj Zotin që tërmeti nuk solli viktima. Ato qenë orë tmerri dhe që bashkuan qytetarët dhe i ftuan në një reflektim mbi të tashmen dhe të nesërmen. Në situata të tilla, duhet reflektuar më tej për atë çfarë kemi bërë në shërbim të qytetit dhe natyrës. Fatkeqësisht, fondi i emergjencave në buxhet është shpenzuar për qëllime të tjera, ndaj qeveria ka më pak parà në buxhet dhe duhet të ndjekë procedura të tjera për disa fonde që i përdori për qëllime të tjera. Pjesa e mbetur është propagandë, pasi Kryeministri Rama bën sikur i qan zemra për qytetin e Durrësit, kur njerëzit e tij janë fajtorë për ndërtimet dhe mungesën e sigurisë për raste të tilla.
Znj. Tabaku, a nxjerr tërmeti një problem me cilësinë e ndërtimeve?
Tërmeti nxjerr në pah krimin urbanistik të kryebashkiakëve socialistë në Durrës dhe Tiranë, që kanë toleruar qytete me ndërtime të tilla. Natyrisht, tërmeti nuk mund të parashikohet dhe as të parandalohet, por ndërtime të pastudiuara dhe krime të tjera urbanistike krijojnë kaosin dhe frikën e ndërtesave që krisen në gjysmë apo pallate që bashkohen.
Për të kaluar në një temë tjetër po aq aktuale sa më sipër, na ndan thuajse 1 muaj nga përgjigjja për çeljen e negociatave. Nga kontaktet që ju keni, cila mund të jetë ajo?
Shqipëria ka nisur rrugëtimin për në BE, por fatkeqësisht pengesa e saj e vetme është maxhoranca e cila përmes veprimeve dhe mosveprimeve të saj po sjellë pasoja të rënda për vendin. Në vitin 2013, kur Edi Rama mori mandatin si Kryeministër, vendi ishte një hap larg çeljes së negociatave. Shqiptarët duhet ta rikujtojnë që qeveria e fundit demokratike do t’i kish hapur negociatat, nëse kryeministri aktual nuk do të shpikte një krizë nga hiçi. Gjithsesi, në tavolinën e tij, ai gjeti një sërë kriteresh të plotësuara dhe i duhej vetëm një përpjekje minimale për të kryer hapin pasardhës. Kjo përpjekje minimale nuk u bë kurrë. Rama dhe njerëzit rreth tij kishin një qëllim tjetër shumë të ndryshëm nga vizioni i qytetarëve të këtij vendi. Ata donin pushtet absolut dhe luftojnë për këtë pushtet. Integrimi për qeveritë e drejtuara nga Rama nuk është vizion, por thjesht një fjalë apo sebep për të justifikuar fondet që merren nga BE. Kriteret e vendosura nga Be nuk janë përmbushur që nga viti 2014 dhe akoma më keq vendi është futur në spiralen negative. Në të gjitha raportet ndërkombëtare si të institucioneve të BE-së edhe të SHBA-së, Shqipëria pëson rënie në renditje dhe përkeqësim të imazhit të saj. Përfshirja sot e kësaj dite e zyrtarëve të lartë me të shkuar kriminale, mosndjekja penale e atyre që kanë kryer krim elektoral, përkeqësimi i klimës së biznesit, zaptimi i institucioneve të pavarura, mungesa e shtetit ligjor dhe kështu me radhë kanë prodhuar një Shqipëri më autokrate dhe pak europiane. Pavarësisht këtyre problemeve, ne kemi kërkuar që Shqipërisë t’i jepet mundësia për hapjen e negociatave, pikërisht si mënyrë për t’i kaluar ato dhe për të përmirësuar standardet.