Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen “ 29 Nëntori” Fier, ku një 50-vjeçare ka humbur jetën.
50-vjeçarja Roza Deliu mësuese në shkollën “Mark Dashi”, ka rënë nga kati i dytë i pallatit dhe ka gjetur vdekjen në vend.
Ndërkohë kolegët e saj, në faqen e Facebook-ut të shkollës kanë shkruajtur një mesazh të ndjerë për 50-vjeçares.
Ja postimi I plotë:
Faqja e shkollës në fb ka gjithnjë qëllimin të shpërndajë më të bukurën, më pozitiven e më argëtuesen që në shkollën tonë ndodh e, kur hapëm këtë faqe, nuk e kishim menduar kurrë se një ditë do të na duhej ta përdornim për t’ju dhënë edhe lajmin më dramatik. Sot me zemrën që na dridhet dhe mendjen që nuk e beson e nuk e rrok dot lajmin që s’do të donim t’a merrnim kurrë, ju bëjmë me dije se kolegia jonë e shtrenjtë, mikja jonë e çmuar, gruaja e vlerë dhe mësuesja e palodhur, Roza Deliu, u largua nga jeta duke na lënë një zbrazëti të madhe.
Nuk është e lehtë për ne, stafin e shkollës të ndajmë me ju këtë lajm të zi e të rëndë sepse Roza për ne ish dhe është e shtrenjtë dhe e pazëvendësueshme. Ngushëllimet tona më të ndjera familjes së saj të mrekullueshme dhe gjithë të afërmve të tjerë. Lamtumirë, gruaja me sytë e bukur, të qeshur e të gjallë, mësuesja që kurrë s’u lodh e dha më të mirën, kolegia e dashur e gjithnjë fjalëëmbël! Lamtumirë, e bukura dhe e mira Roza që qysh tani na mungon e të ardhtë e lehtë lëndina!