Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në “Çim Peka LIVE” në Syri Tv, komentoi edhe deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë, ku vetë ai etikohej si udhëheqësi i duhur.
Sipas Bashës, një ndër arsyet e aksionit opozitar ka qenë ndërgjegjësimi i faktorit ndërkombëtar, veçanërisht i SHBA-ve, ndërsa shtoi se, para se të bëhej deklarata e ambasadës, kishte zhvilluar një bisedë në Washington.
“Një nga arsyet e aksionit të opozitës ka qenë ndërgjegjësimi faktorit ndërkombëtar dhe SHBA-të.
Nga SHBA shohim reagimin që sapo afishuat në ekran. Jemi në rrugë të mbarë për të treguar të vërtetën e një vendi, edhe kur është tragjike.
Në 2-3 javë kanë ndodhur ngjarje, që as propaganda e Edi Ramës, që është shumë e fuqishme, nuk i zbehu dot. Farsa e mosdënimit të Saimir Tahirit me asnjë ditë të vetme në burg, edhe pse ishte në krye të Ministrisë së Brendshme kur vendi u kthye në hambarin e kanabisit dhe trafikun e drogërave të forta”, u shpreh Basha.
“Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, do të shprehej ambasada amerikane në Tiranë.