DW: Zgjedhjet në Kosovë po monitorohen nga mijëra vëzhgues

Diel, 06 October 2019 14:13

Në Kosovë sot po votohet për përbërjen e re të Kuvendit, nga i cili do të dalë qeveria e re e Kosovës. 25 subjekte politike garojnë në këto zgjedhje.

Në Kosovë në të gjitha rajonet po votohet për të zgjedhur përfaqësuesit për përbërjen e re të Parlamentit, për një mandat katër vjecar. Mbi 1.9 milionë qytetarë kanë të drejtë vote. Të gjitha qendrat e votimit në tërë Kosovën janë hapur që nga ora shtatë e mengjesit, njofton KQZ.

"Këto janë zgjedhjet e shtata më radhë për Kuvendin e Kosovës. KQZ-ja ka çertifikuar 25 subjekte politike (20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje, me gjithsej 1067 kandidatë për deputetë. Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milionë e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit është 895 me gjithsej 2547 vendvotime”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.

"I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t'i faturohet Kosovës", tha Valdete Daka.

Qendrat e votimit janë hapur edhe në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Procesi në këtë pjesë ndihmohet edhe nga misioni i OSBE-së, ndërsa, për herë të parë qytetarëve serbë të Kosovës nuk do t'u lejohet të votojnë me dokumente të Serbisë, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, por vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 prej të cilave vetëm për komunitetin serb.

Zgjedhjet në Kosovë po monitorohen nga mijëra vëzhgues. 100 vëzhgues kanë ardhur nga Bashkimi Evropian me ftesë të Presidentit të Kosovës. Shefja e misionit vëzhgues të BE, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2013. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që ftoi vëzhguesit e BE-së, procesin e votimit e cilësoi të një rëndësie të veçantë.

"Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe korrekt. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova”, shkroi në profilin e tij Presidenti Hashim Thaci.

Organet e rendit që janë angazhuar për të siguruar që procesi i votimit të shkojë pa telashe kanë angazhuar, mijëra policë gjithandej Kosovës.

"Policia e Kosovës ka angazhuar një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces", thanë zyrtarë të policisë së Kosovës, të cilët inkurajojnë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Qendrat e votimit sipas njoftimit të KQZ-së do të jenë të hapura deri në orën 19:00 h, ndërsa, rezultatet paraprake priten më vonë gjatë natës.

Analistët e pavarur thonë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm dhe poashtu vështirë të parashikueshme janë edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve të cilat megjithatë janë të pashmangshme. Deri tash asnjë parti politike nuk ka arritur që ta formojë e vetme qeverinë e Kosovës.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës, ishin temat që mbizotëruan fushatën parazgjedhore që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, që i parapriu këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Autoritetet ndërkombëtare vazhdimisht kanë bërë thirrje që pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që sfidën e parë do ta ketë rifillimin e bisedimeve me Serbinë, dialog ky që është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Për dialogun me Serbinë ka një angazhim të shtuar amerikan, ku gjatë muajit gusht, sekretari I shtetit Mike Pompeo, emëroi zëvëndësin e tij Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, ndërsa, këtë të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin e SHBA-së në Gjermani Richard Grenell, si të dërguarin e tij special për dialogun Kosovë-Serbi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...