Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi ditën e sotme se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo llojë kontrolli mjekësor, nëse dyshohet se ai përdor doping apo substanca të tjera.
Duke folur për vendimin e tij të anulimit të zgjedhjeve, kreu i shtetit tha se është e drejtë e tij ekskluzive të caktojë datën e zgjedhjeve, po ashtu dhe të miratojë anulimin e tyre.
Meta tha se “Presidenti do të konsiderohej i çmendur” në rast se do të anulonte zgjedhjet në një kohë që në vend ishte një situatë normale politike.
“Jam i gatshëm t’i nënshtrohem çdo llojë kontrolli mjekësorë, nëse dyshohem se përdor ndonjë doping-u apo ndonjë gjë tjetër.
Presidenti të drejtën e dekreteve nuk e ndanë me askënd, as me Parlamentin dhe as me KQZ-në. Presidenti vendos dekretin kur do bëhen zgjedhjet, ndërkohë që u konsultua me partitë për këtë dekret.
Nëse do të ishte situatë normale dhe Presidenti do anulonte zgjedhjet, atëherë Presidenti do konsiderohej si i çmendur. Ju besoj keni provuar gazin, zjarrin nëpër godina, dhunën nuk e bënte vetëm njëra palë, por të dy palët. Kjo ishte një mënyrë për të shmangur një përplasje të rëndë. Përgjegjësia ishte shumë e rëndë, si mund të bënim zgjedhje me një palë. Dikush mund të thotë që Presidenti kushte hallin e PD-së apo LSI-së, por jo! Kemi të bëjmë me një kriter të pa kundërshtueshëm të Kopenhagenit”- tha Meta.