Presidenti Meta nga studio e emisionit “Open” në TCH e vlerësoi sot raportin e OSBE-ODIHR për procesin e 30 qershorit si “mundësia e artë dhe ndoshta e fundit që i jepet komunitetit ndërkombëtar për të rivendosur integritetin e tij në raport me zhvillimet në Shqipëri”. Sipas tij ky “është dokumenti më serioz, më i paanshëm, më i qartë, më i kthjellët, që mund të ndihmojë në rivendosjen e vendit vërtet në shinat e shtetit të së drejtës edhe të demokracisë”.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Por ju e pranuat si interlokutor Venecian, patët takim me ta. Që në fillim u shprehët që....
Presidenti Meta: ...Po pse të mos i takoj? I kam takuar, ua kam thënë dhe sa herë do t’i takoj do ua them prapë dhe do të përpiqem t’i ndihmoj që të reflektojnë. Pse çfarë problemi ka? Unë nuk kam ndonjë shqetësim nga takimet.
Gazetarja: Problemi i vetëm që unë shoh është që një herë i pranoni si interlokutor, pra thoni se produkti që do të nxjerrin është i pranuar prej jush, pra nuk e keni thënë që në fillim se varet se cili do të jetë opinioni dhe në varësi të opinionit do ta pranojmë ose jo...
Presidenti Meta: Nuk më intereson fare kjo logjikë, sepse kjo është një logjikë inferiore dhe kjo është një logjikë larg argumentit dhe faktit. Flasim për Kushtetutë, flasim për fakte. Kush është neni që ka shkelur Presidenti i Republikës? Kaq! Pikë! Nëse nuk ka, muhabete le të bëjnë ata, teorira, përralla, etj., sa të duan.
Gazetarja: Ju thoni se nëse ky projekt miratohet siç është, atëherë çdo lider – po ju citoj – autokrat mund ta interpretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij. Çfarë doni të thoni? Kjo tregon sipas jush që Rama po përdor gjetjet e Venecias dhe për çfarë?
Presidenti Meta: Jo, nuk është thjesht vetëm Rama.
Kjo lidhet me interpretimet e tjera të Komisionit, që nuk kanë të bëjnë me çështje të Presidentit, - ata nuk thonë askund që Presidenti ka bërë shkelje - , por me interpretimet që kanë bërë për situatën politike, për raportet e brendshme këtu që nuk është një kompetencë e tyre dhe me rëndësinë që gjoja e theksojnë të çështjes së procedurave të zgjedhjeve, jo të përmbajtjes së tyre dhe të thelbit të tyre në një demokraci siç e përcakton Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Siç e përcaktojnë vendimet e Gjykatës së Strasburgut që është shprehur për atë se çfarë kuptojmë me zgjedhje. Pra që nuk është thjeshtë një proces mekanik, por është një mundësi ndikimi midis të paktën dy alternativave që i jepet votuesit. Pra, vota nuk është procedurale, është substanciale. Dhe jo vetëm kaq, por me një kandidat vota nuk është e fshehtë, sepse kur shkon të votosh vetëm për një kandidat, që dihet publikisht, ti je i ekspozuar edhe përpara komunitetit, edhe përpara të gjithëve, je i identifikuar që ti shkon e voton për këtë kandidat.
Gazetarja: Pra, kur thoni lider autokrat keni parasysh Ramën?
Presidenti Meta: Nuk është vetëm çështja e Ramës. Por të shikojmë në gjithë rajonin e Ballkanit ka një rritje të autoritarizmit, ka një rënie të demokracisë, ka një kompromentim të institucioneve ndërkombëtare në raport me demokracinë, në raport me zgjedhjet e lira, në raport me shtetin ligjor, në raport me pavarësinë e institucioneve.
Ndaj Komisioni i Venecias ka për detyrë si një institucion që është ngritur për të mbrojtur demokracinë përmes ligji.
Të jetë gjithmonë në anën e ligjit për mbrojtjen e demokracisë dhe jo në anën e procedurave që justifikojnë krijimin e regjimeve autoritare.
Gazetarja: Edhe diçka për ta mbyllur me pjesën e Venecias...
Presidenti Meta: Kot e zgjate kaq shumë me Venecian, nuk ka asnjë vlerë për mua Venecia për këtë rast.
Gazetarja: Në mënyrë indirekte ju duket sikur e akuzoni për situatën aktuale politike. Ju thoni se projekt-opinioni ndezi polarizimin politik. Ju i bëni përgjegjës anëtarët e Komisionit të Venecias për polarizimin politik?
Presidenti Meta: Unë i bëj përgjegjës për daljen nga fusha e kompetencës së tyre dhe për të dhënë ushqim propagandastik të panevojshëm për çështje që ato nuk janë kompetentë. Është raporti i OSBE/ODHIR kompetent për të gjitha çështjet e procesit zgjedhor në datën 30 qershor në Shqipëri. Dhe OSBE/ODIHR ka qenë i ftuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Dhe raporti i OSBE/ODIHR është mundësia e artë dhe ndoshta e fundit që i jepet komunitetit ndërkombëtar për të rivendosur integritetin e tij në raport me zhvillimet në Shqipëri.
Është dokumenti më serioz, më i paanshëm, më i qartë, më i kthjellët, që mund të ndihmojë në rivendosjen e vendit vërtet në shinat e shtetit të së drejtës edhe të demokracisë.