Kryeministri Edi Rama, Presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zaev shtrënguan duart në një takim vllazëror për të shtëquajturën “shengeni ballkanik”. Me gjasë mendoi se kjo do bënte bujë të madhe, brenda dhe jashtë vendit, por nuk ndodhi kështu.
Rama lutej me veten dhe Fug(k)sat e piarit të tij, që media në Shqipëri ta quante tradhtar, shitës të interesave kombëtare, bashkëpunëtor të serbisë dhe të tjera epitete, nga ana tjetër shpresonte se edhe faktori ndërkombëtar do mbante një qëndrim, sidomos pasi Rama u shpreh se: Nuk do priste gjatë Europën për negociatat”.
Çudi por e vërtetë, asnjëra nuk ndodhi. Ramën nuk e quajnë më tradhtar. Madje i duhet huazuar një shprehje e disa muajve më parë kur u shpreh në Kosovë se: “Ai që e quan Hashim Thaçin tradhtar, është gomar”. Në nismën e fundit Rama nuk është tradhtar, por epitetin gomar mbase nuk e fshin dot.
Në Shqipëri, shumë vonë e kuptuam politikën djallëzore, malinje dhe të pështirë të një kryeqeveritari, i cili për të shmangur vëmëndjen nga problemet e mëdha që kalon vendi, tenton të hedhë në treg ide “gjeostrategjike” për një mendje të trazuar që gjen shpëtimin shpirtëror në Serbi.
Takimi në Serbi ishte për nënshkrimin e katër marrëveshjeve të cilët synojnë lëvizjen e lirë të shtetasve, lëvizjen e lirë të mallrave dhe bashkëpunimi në investime të përbashkëta.
Pra një lloj “BE-je” e vogël, por në konteksin ballkanik dhe gjysmak. Kjo nismë kundërshtohet nga tre shtete, si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, pasi e konsiderojnë si një nismë e cila rikthen Jugosllavinë e dikurshme. Edhe Rama e di mirë këtë, por jemi në një pikë ku kredencialet e një kryeministri kanë rënë aq poshtë sa nuk i merret seriozisht asgjë.
Në dëshpërim e sipër tenton tenton çdo formë për të kapur vëmendjen mediake, publike dhe shoqërore me nismat që ndërmerr, por asgjë nuk na bën më përshtypje.
Dikur merreshim edhe me veshjet e tij, mënyrën e sjelljes apo batutat që lëshonte. Më pas kaluam në fazën që media i merrte çdo deklaratë duke bërë lajme dhe analiza të thelluara. Por tepër vonë u kuptua e vërteta. Ka raste kur të merresh me një “idiot nëpër botë”, nuk është vetëm kohë e humbur, por me pasoja të rrezikshme.
Nëse nisma e “Shengenit Ballkanik” do të merrej ta zënë tre vite më parë me siguri politika do ziente, ekspertët e ekonomisë, të të drejtave ndërkombëtare dhe mbarë shoqëria do reagonte, padyshim kritikonte nismat e kryeministrit se i la jashtë Kosovën në një marrëveshje që shkon në interes të serbisë, e madje në emocion e sipër mund të konsiderohej edhe tradhtar.
Por jemi në një situatë tjetër. Ai nuk është më kryeministri që na përfaqëson. Është vetëm një kryeministër shëtitës me vulë që e mban në xhep si kryetarët e fshatrave. Nismat e tij nuk kanë asnjë vlerë. Është i rënë moraliht, madje edhe ligjërisht, por i ngjan atyre rasteve që ligji është miratuar, por ende nuk është botuar në “fletoren zyrtare”./ Nga Boldnews.al