Nga Luan Rama/
Vërtetë nuk e mbani mend? Kaq shpejt e keni harruar?!
E harruat festën e Kryeministrit?!
E harruat frymëzimin, fjalimin, shembëllimin, vezullimin, lotimin, lumturimin, dekorimin e dritëzimin e tij?...
Po festën e ministreshave e ngazëllimin magjepsës, sharmant e ndjellës deri në delir dhe ekstazë të tyre, e harruat?!
Vërtetë nuk e mbani mend?!
Jo, ju nuk mund t’i keni harruar! Nuk ka se si!
Si mundet që një ngjarje aq të madhe e që u shërbye me aq shumë gëzim e impozancë, me aq hipokrizi e tallje deri në fyerje e poshtërim shtetëror ju ta keni harruar kaq shpejt?
Jo, nuk mundet!
Kurrësesi nuk mundet!
O “të marrë”, çfarë prisni nesër?!Shqipëria i ka çelur negociatat.
Dhe këtë kumt historik dhe epokal e ka kumtuar vetë ai, ai kumtëtari i ngjarjeve të mëdha, ai lajmësi i palodhur si lajmëtar suksesesh.
Ai pra, Shefi i Madh, alias Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Madje, ai, gojëtar e orator si ai, e ka thënë me zë e me figurë. Edhe me shumë emocion; me zërin që i dridhej e me frymëmarrjen e tendosur që gati-gati sa nuk i mekej prej padurimit për të përballuar gëzimin. Edhe me sytë e përlotur prej magjisë e kënaqësisë bashkë. Ai tha: “Shqipëria i ka hapur negociatat”.
Dhe pas tij rendën dhe e thanë edhe ato, ministreshat punëmira.
Ndaj, çfarë negociatash prisni që të hapen nesër o “të marrë”?!
Lërini shakatë e mos na ktheni pas në kohë. Sepse nuk mund të bëhet shaka me të gjeturat dhe arriturat e Kryeministrit dhe të qeverisë së tij.
Shqipëria i ka çelur negociatat.
E ka thënë Edi Rama. Ai nuk gënjen!
Dhe Edi Rama është burrë i ndershëm!
Madje jo një herë, por plot dy herë i ka çelur Shqipëria negociatat me BE-në.
Herën e parë në nëntor të vitit 2016. Dhe herën e dytë, në prill të vitit 2018!
Po, po, nuk gënjej. E ka thënë Edi Rama. Dhe Edi Rama është burrë i ndershëm!
E kam parë e dëgjuar vetë. Njësoj siç e keni parë dhe dëgjuar edhe ju.
Ndaj mos bëni sikur nuk e mbani mend.
Ju lutem, mos e lëndoni e mos e fyeni Kryeministrin tonë me “harresën” tuaj, anipse ai ju fyen e ju tall e ju poshtëron sa herë që flet e shfaqet para jush.
Sepse Edi Rama nuk gënjen.
Dhe Edi Rama është burrë i ndershëm!
Por, meqë ju o shqiptarë të mirë e keni harruar që Shqipëria i ka çelur negociatat, po jua kujtoj unë edhe me zë e me figurë, e edhe me shkrim madje se çfarë ka thënë Kryeministri ynë në të dy rastet kur Shqipëria i ka çelur negociatat me BE-në; në nëntor të vitit 2016 dhe në prill të vitit 2018.
Edi Rama, nëntor 2016:
“Axhenda jonë reformiste dhe beteja e paepur pas një vonese shumëvjeçare për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda dhe me kosto në çdo sektor, na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombtarisht.
Komisioni Europian e ka vlerësuar aq maksimalisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë, sa ka ndezur dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.”
Edi Rama, prill 2018:
“Jam i emocionuar dhe ata që merren me frymëmarrjen mbase e ndjejnë, por jam edhe shumë krenar, sepse ja dolëm këtij provimi të vështirë. I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm nga një tjetër udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Sot kemi kaluar sprovën historike si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar nga KE që mund dhe duhet të ulemi në tryezën europiane për të hyrë në Europë, jam i emocionuar”.
Ja pra që Shqipëria i paska çelur negociatat!
Ndaj, çfarë negociatash prisni që të hapen nesër?!
Edi Rama e ka thënë vetë. E ka thënë me zë dhe me figurë.
Edi Rama nuk gënjen.
Dhe Edi Rama është burrë i ndershëm!
Të ndershëm janë të gjithë; ai dhe shokët e tij.
Edhe ministreshat e tij, bashkë me gjithë letrën e tyre aq impresionuese e që reflektonte vetëm magji itelektualizmi dhe kulture.
Shqipëria i ka çelur negociatat!
Ndaj çfarë prisni nesër o “të marrë?”.