Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë takimeve që pati sot me qytetarë të qarkut të Lezhës, u takua edhe me të rinj të talentuar të cilët midis të tjerave i shprehën edhe dëshpërimin e tyre për ta lënë Shqipërinë për një të ardhme më të mirë jashtë vendit.
‘Sot gjatë takimeve të mia me qytetarë të qarkut të Lezhës, disa të rinj më ftuan të shkoja në vendin e tyre të punës në Patok. Ishte kënaqësi të shikoje Anxhin, Vasilin, Xhulion dhe shokët e tyre gjatë procesit të punës. Të rinj plot talent dhe dashuri për profesionin e tyre të kuzhinierit. Duarartë dhe plot fantazi, por më dëshpëroi kur dëgjova se ata mund të iknin në Gjermani.
Ne, klasa politike, duhet të bëjmë gjithçka për t’i krijuar mundësitë, që këta të rinj të zhvillojnë profesionin e tyre në Shqipëri, në shtëpinë e tyre. Duhet të ulim taksat për bizneset që punësojnë të rinjtë. Duhet të subvencionojmë punën e të rinjve dhe bizneset e tyre.
LSI ka një program të qartë për të ndaluar hemorragjinë e rinisë, largimin e tyre nga vendi.’