Kryeministër apo kryemodel? Si u bë kravata e Ramës lajm kombëtar 3 orë më parë

Tuesday, 29 October 2019 18:45

Cilido që ka parë të enjten e shkuar debatin midis Edi Ramës dhe Mustafa Nanos në emisionin më të rëndësishëm politik te vendit, të grindeshin me njëri tjetrin për llojin e veshjes, me siguri nuk u ka besuar syve. I dyti i kërkonte llogari të parit se përse shkonte në takimet ndërkombëtare me shallvare, ndërsa Rama i përgjigjej se gazetari e kopjonte atë kur vishte pantallona të kuqe.

Në fakt, në këtë vanitet të denjë për moshën e para adoleshencës, ka dorë vetë kryeministri dhe makineria e tij e propagandës.

Shkuarja në samitet ndërkombëtare me atlete, shallvare dhe dalja në fushatë elektorale apo kongreset e PS-së me brekueshe nuk janë gjë tjetër veçse një mani e sëmurë për të rënë në sy.

Dhe këtë skizofreni shërben për ta përhapur zyra e shtypit e kryeministrit që paguhet me taksat e shqiptarëve. Sot kemi edhe provën për këtë.

Po të shikosh në të njëjtën kohë të gjitha mediat pranë qeverisë, aty vëren se është shndërruar në lajm kombëtar një batutë që kryeministrit tonë i ka bërë homologu i tij grek Mitsotakis. Të dy ndodhen në Athinë ku po zhvillohet samiti i katërt euro- arab. Kameramani i kryeministrit ka kapur, në një video dy minutshe, një sekuencë ku Mitsotakis i thotë Ramës: “Aaa kravatë e bukur kjo”. Kaq është dashur që videoja t’i dërgohet menjëherë Top Channel, për t’u bërë lajm. Dhe lajmin e Top-it, e kanë marrë me radhë të gjitha mediat pro qeveritare që e kanë shndërruar në kryeçështje të ditës faktin se kollarja e Ramës pëlqehet në Athinë.  

©Lapsi.al

Modifikuar më Tuesday, 29 October 2019 18:48
Login to post comments