Basha flet për Alvin Berishën, përgëzon autoritetet italiane: Mirë se të kthehesh në gjirin familjar

E Enjte, 07 November 2019 17:56

Kryedemokrati, Lulzim Basha nga qyteti i Vlorës në takim me qytetarët theksoi se shpresën kryesore e ka tek rinia. Ai tha se kjo pjesë e shoqërisë është më e pastër dhe më pak e kompromentuar. Basha pohoi se rinia është detyruar të largohet jashtë pasi nuk i gjejnë dot mundësitë në vendin e tyre.


“Shumica dërrmuese kemi shpresë dhe besim të madh të rinia, këtë e them për tri arsye. Së pari, rinia është shtresa më e pastër dhe më e pakopromentuar në vend. Së dyti, është shtresa më e përgatitur dhe më proevropiane. Rinia mund dhe duhet të marrë në dorë  fatet e shqipërisë Europiane.  Shqiptarët janë rracë e zgjuar dhe e talentuar dhe janë të prirur drejt suksesit. Rinia është konkurrencë e papërballueshme, por për fat të keq në Shqipëri nuk i gjejnë këto mundësi. Rinia ka një braktisje totale nga qeveria. Rinia është dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Rinia është grupi më i madh që i drejtohet emigracionit. 38 mijë të rinj që janë larguar nga vendi. Kjo qeveria iu lë vetëm, një rrugë, iu vret shpresën, iu heq lirinë dhe iu lë rrugën e emigracionit”-tha Basha.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek vogëlushi shqiptar Alvin Berisha, i cili u nxor nga kampi i tmerrit në Siri. Lideri demokrat përshëndeti operacionin e shpëtimit të 11-vjeçarit.

“Dua të shpreh kënaqësinë time personale edhe si prind për lajmin e mirë që morëm për Alvinin. Është një dramë që na ka mbajtur mbërthyer. Është drama e një djaloshi, të shkëputur nga gjiri i familjes. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që bënë të mundur, që ai të jetë i sigurtë, veçanërisht autoritetet italiane, Kryqin e Kuq italian. Kjo tragjedi nuk ka mbaruar. Kemi dhjetëra fëmijë të tjerë në këto kampe. Misioni vazhdon. U bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht partnerëve që na kanë ndihmuar deri tani, veçanërisht partnerëve italianë dhe partnerëve të tjerë, të bëjnë gjithçka për këta fëmijë, duke i nxjerrë nga ato kampe të tmerrshme. Por le ta mbyllim me diçka të mirë dhe t’i themi Alvinit, rrugë të mbarë e mirë se të kthesh në gjirin e familjes”-tha Basha.

Modifikuar më E Enjte, 07 November 2019 17:58
Login to post comments