Një numër treguesish që masin nivelin e korrupsionit që kompanitë e biznesit detyrohen të paguajnë kanë shënuar rritje galopante mes viteve 2013 dhe 2019, sipas rezultatit të një anketimi të kryer nga Banka Botërore, e cila gjithsesi në një deklaratë të lëshuar nga zyra lokale u shpreh e kënaqur me përmirësimin e disa treguesve të cilat në përgjithësi ishin jo drejtpërsëdrejti të lidhur me qeverisjen.
Plot 36% e bizneseve shqiptare kanë përjetuar së paku një kërkesë eksplicite për të paguar ryshfet ndërsa ryshfeti rezulton se është kërkuar në 30% të të gjitha veprimeve me administratën publike. Afro 35% e firmave thonë se është e pritshme të japësh dhurata për të takuar zyrtarët e taksave ndërsa 43% e bizneseve të pyetura identifikojnë korrupsionin si pengesa më e madhe në të bërit biznes.
Vrojtimi i Bankës Botërore është kryer edhe në vitet 2007 dhe 2013, gjë që mundëson ndjekjen e rezultateve në kohë. Një pjesë e madhe e treguesve, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin, rezultojnë në përkeqësim të ndjeshëm me vitin 2013, ndonëse situata duket se është relativisht më mirë në krahasim me vitin 2007. Kështu, të pyetur se cila është pengesa më e madhe në të bërit biznes, 21% e të anketuarve identifikuan barrën fiskale si problemi i parë, dyfish në krahasim me vitin 2013 dhe katërfish në krahasim me vitin 2007. Informaliteti ishte zgjedhja e dytë e të anketuarve përballë pyetjes se cili është problemi më i madh, pasuar nga korrupsion.
Por rezultatet janë më dramatike në lidhje me pyetjet mbi incidencën e korrupsionit. Këtu të gjithë treguesit e rëndësishëm rezultojnë në përkeqësim të ndjeshëm. Rreth 17% e kompanive thanë se ata besojnë se duhet të japin ryshfet te OSHEE për të marrë një lidhje me rrjetin e energjisë elektrike, mbi dy herë më shumë se sa më 2013 por më pak se më 2007. Rreth 32% besojnë se duhet të japin bakshish në mënyrë që zyrtarët të bëjnë punën e vet, ndërsa korrupsioni rezulton i lartë edhe në lidhjen me rrjetin e ujësjellësave.
Biznesi ankohet gjithashtu edhe për gjendjen e sigurisë. Rreth 67% thonë se paguajnë për siguri fizike nga 54% që paguanin më 2013 dhe 57% më 2007.
Bizneset shqiptare rezultojnë gjithashtu edhe më të pajisura me shërbime bankare, ndërsa marrja e një kredie sot rezulton me kërkesë më të ulët për kolateral se sa pesë vjet më parë.
Në një drejtim pozitiv, numri i shkëputjeve të energjisë elektrike rezulton sot shumë më i ulët se sa pesë vjet më parë për kompanitë shqiptare. Në një muaj tipik, kompanitë thonë se përjetojnë 1.5 ndërprerje sot nga 4.2 më 2013 dhe 34% më 2007 (kur ishte kriza e rëndë energjetike).
Pas publikimit të të dhënave, zyra e Bankës Botërore në Tiranë shpërndau një deklaratë në të cilën theksoi përmirësimet e dukshme në “nivelin e shitjeve”.
“Vrojtimi tregon se firmat në 2019 paraqiten më mirë se ato në 2013. Për shembull rritja reale e shitjeve vjetore është shumë më e lartë se në 2013 dhe po kështu rritja e punësimit vjetor,” shkroi zyra e BB në Tiranë në njoftim. Në të vërtetë, shitjet e biznesit në vitin 2013 ishin minus 3.5% për shkak se ai ishte një vit zgjedhor dhe me tranzicion pushteti. Në vitin 2019, shitjet rezultojnë me rritje 3.5%.
Deklarata e BB rendit disa tregues që kanë shënuar përmirësime, përfshirë treguesin e pritshmërisë së biznesit për të dhënë dhurata për të marrë kontrata shtetërore, si dhe raportimet për pritshmëri për të dhënë ryshfet për të marrë leje ndërtimi.
“…korrupsioni në procesin e marrjes së lejeve të ndërtimit ka rënë nga 32% e firmave të anketuara në 2013 në 17% në 2019,” thuhet në njoftim. “Matës specifik ku perceptimi i korrupsionit është rritur janë: gjatë ndërveprimit me administratën tatimore, procesi i marrjes së licencave të importit, në vendosjen e lidhjes së energjisë dhe ujit,” shton BB pa dhënë shifrat, të cilat në rastin e ndërveprimit me administratën tatimore shënojnë rritje nga 18 në 35%, ndërsa në rastin e licencave të importit ka rritje nga 0 në 16%.
Njoftimi për shtyp nuk flet për treguesin: Thellësia e korrupsionit (% e transakcioneve ku u kërkua një dhuratë apo një pagesë nën dorë), me rritje nga 18 në 30% apo treguesin: Incidenca e ryshfetit (% e firmave që përjetojnë se paku një kërkesë për pagesë ryshfeti), ku rritja është nga 20% më 2013 në 36% më 2019.