Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, ekspertët kritika për strukturat e emergjencës

Tuesday, 17 December 2019 18:32

Ekspertët në Shqipëri, pas 20 ditësh nga tërmeti i fortë me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, kanë arritur të analizojnë mënyrën e reagimit dhe të organizimit të strukturave të shtetit, kryesisht të emergjencave civile, në momentet e operacionit të kërkim shpëtimit. Duke vendosur shkallën e krahasimit me forcat e Kosovës ato greke, italiane etj., ata evidentojnë mangësi, që nga uniforma dhe deri tek pajisjet. Zyrtarët thonë se pjesa më e madhe e jetëve të shpëtuara nga rrënojat është rezultat i punës së ekipeve shqiptare. Ato pranojnë se nuk janë në lartësinë e forcave të huaja, por nënvizojnë se ndodhen në një reformë të thellë.

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri vuri në provë për të parën herë pas 40 vitesh që nga tërmeti i vitit 1979, strukturat e shtetit shqiptar në orët e para të operacioneve të kërkim shpëtimit. Shqipëria, sipas një raporti të OKB-se mbi bazën e riskut, renditet e para në Europë për fatkeqësitë natyrore, mban vendin e 31 në botë për ndjeshmërinë sizmike dhe të parin në Ballkan. Ish-drejtues të drejtorisë së emergjencave civile mendojnë se tërmeti i kapi në befasi strukturat reaguese.

“Kur mbërritën strukturat operacionale të Kosovës, që ishin të mirëkompletuar, por dhe të mirëtrajnuar, dhe të pajisur me qen kërkimi, me kamera termike dhe me kamerat e kërkimit në rrënoja, atëherë strukturat operacionale dhe drejtuesit qëndror të ministrisë së brendshme dhe të mbrojtjes panë se forcat shqiptare ishin në lakuriqësinë operacionale”, thotë Shemsi Prençi, ish- Drejtor i Emergjencave Civile.

Drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile Haki Cako, thotë se të gjitha strukturat kanë qenë aktive, që nga emergjencat civile të Ministrisë së mbrojtjes dhe ato në prefektura, zjarrfikëset, ekipet shëndetësore, policia e rendit etj. 37 trupa nga 47 që u shpëtuan gjithsej nga rrënojat ishin rezultat e punës së ekipeve shqiptare thotë ai.

“Ne kemi pajisje, nuk është se jemi pa pajisje. 37 qytetarë nuk u nxorën me duar, u nxorrën me ato pajisje që ne kishim. Normal që nuk jemi në kapacitetet e pajisjeve izraelite, franceze apo italiane, por gjithsesi ne jemi në një reformë shumë të thellë”, pohon Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Emergjencave Civile.

Ekspertët i kundërshtojnë këto shifra pasi thonë se ndihma e parë qytetarëve u është dhënë nga banorët dhe se fillimisht janë ndihmuar ata që ishin të dëmtuar por jo në rrënoja. Qytetari nga Durrësi Isa Myzyraj me profesion gazetar, sjell eksperiencën e tij personale menjëherë sapo kish rënë tërmeti.

“Kam arritur në një pallat ku banorët kërkonin ndihmë për të dalë jashtë, ishin bllokuar, pallati nga brenda kishte rënë i gjithi. Forcat e huaja dhe ato kosovare, në raport me forcat tona operacionale janë identifikuar që tek kokorja. Ato ishin pajisur me qen që ishte shumë e rëndësishme, me dorashka, me syze dhe me mjete prerëse”, shprehet Isa Myzyraj, banor i Durrësit dhe gazetar i “Dritare.net”

Edhe mjeku Grej Malo, pjesë e një ekipi vullnetar të emergjencave civile, ka marrë pjesë në operacionin e kërkim shpëtimit në hotelin e shembur Palma, ku u shpëtua pas 21 orësh Klajdi Qato. Mjeku Malo sjell këtë konstatim nga vendgjarja.

“Forcat zjarrfikëse të Kavajës me mish e shpirt kanë arritur gjithshka. Vendosën disa arkitrarë që të mbanin strukturën sepse ishin 4 kate sipër, për t’u futur dhe për të nxjerë Klajdin. Aty hasën një pengesë tektonike.Kishte një devijim. Me mjetet që zotëronin deri në ato momente, ishte e pamundur. Kjo u arrit me nje lloj trapani pneumatik special që e sollën forcat greke”, thotë Grej Malo, mjek, pjesë e një ekipi vullnetar të emergjencave civile.

Ish- drejtuesi i emergjencave civile Shemsi Prenci është kritik kur flet dhe për zinxhirin e funksionimit të strukturave.

“Është bërë katraura më e madhe në mbrojtjen civile. Sepse mbrojtja civile dhe sistemi i saj u shkërmoqën. Drejtoria e përgjithshme e emergjencave civile kaloi në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërkohë prefektët u lanë në Ministrinë e brendshme. Drejtoria e përgjithshme e Shërbimit zjarrfikës u la në Ministrinë e Brendshme, dhe kështu gjithë sistemi u shkërmoq”, shprehet Shemsi Prençi, ish- Drejtor i Emergjencave civile.

Por drejtuesit aktualë i hedhin poshtë këto pretendime duke argumentuar se ndryshimet ligjore që u bënë në korrik të këtij viti kishin qëllim përmirësimin e mbrojtjes civile.

“Më duhet të sqaroj këdo, që i koncepton emergjencat si ushtri të vetme. Mbrojtja civile është një sistem, nuk është një strukturë, jo vetëm në momentin kur ndodh një fatkeqësi, por dhe më përpara për reduktimin e riskut. Strukturat operacionale të shtetit janë të gjitha pjesë e këtij sistemi”, shprehet Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Emergjencave Civile.

Ish-drejtori i emergjecave Shemsi Prençi hedh kritika dhe për buxhetin e emergjncave prej 1.3 milion euro të cilin e konsideron të papërfillshëm, ndërsa drejtues aktualë thonë, se nuk mund të parashikohet buxhet për fatkeqësi me supozime, por mbi atë që ke në tryezë. Një pikë e nxehtë që ka përfshirë mjaft grupe interesi në deba është dhe ai mbi cilësinë e ndërtimeve të cilat shtuan dëmet e tërmetit në njerëz dhe në materiale.

“Në fillim mendova se plazhi i durrësit do ishte shembur komplet. Kur zbardhi dola dhe pashë se kishte pallate pa asnjë të çarë, dhe mendova se këtu ka një problem, që lidhet me cilësinë e ndërtimit”, thotë Isa Myzyraj, banor i Durrësit dhe gazetar i “Dritare.net”

Edhe vetë zyrtarët janë kritikë për zhvillimin e infrastrukturës ndër vite pa plane dhe jashtë kufijve ligjorë, dhe mbështesin punën e prokurorisë në hetimet e nisura.

“Një pjesë e pasojave ka ardhur nga çrregullimi total në infrastrukturë, ndërtim, arkitekturë, tranzicioni ka sjellë problemet e veta. Në shumicën e rasteve, aplikimet bëhen formale. Askush nuk interesohet kur bën një ndërtim nëse akti gjeologjik i studimit të tokës është pikërisht ai i duhuri apo jo”, thotë Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Emergjencave Civile.

Ministri i plotfuqishëm për situatën e shkaktuar nga tërmeti Bledi Çuçi thotë se pas tejkalimit të fazës së kërkim shpëtimit, dhe të sistemimit të personave të prekur nga dëmtimi i banesave, po punohet për vlerësimin e dëmeve me grupet në terren.

“Grupet e inxhinierëve janë në terren me tablet. Ka një program që identifikohet përmes sistemit GIZ” vendodhja gjeografike e ndërtesave të dëmtuara. E lidh me adresën që shikon, plotëson formularin për të vlerësuar dëmin dhe menjëherë ajo hyn në një sistem të integruar, që komandohet dhe shihet në çdo kohë direkt në kohë reale nga të gjithë ne”, thotë Bledi Çuçi, Ministri fuqiplotë, për pasojat e shkaktuara nga tërmeti.

Shqipëria u përball me 26 nëntor me një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore prej afro gjysëm shekulli. Humbën jetën 51 qytetarë, mbetën mijra të pastrehë nga dëmtimi i 8 mijë pallateve dhe banesave në tre qarqe, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Shkalla e dëmit mendohet të jetë disa qindra milion euro. Një buxhet i varfër si ai i Shqipërisë, shifra jo premtuese e rritjes ekonomike dhe borxhi i lartë publik do të bëjë që rruga drejt ringritjes të jetë e gjatë dhe e vështirë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...