Drejtori i kabinetit në PD, eksperti i ekonomisë Dorjan Teliti ka qenë sot në zonën e Xhamllikut në Tiranë për të biseduar me biznesmenët e zonës e për t’u njohur me gjendjen e tyre.
Teliti deklaron se ka parë një situatë të rënduar dhe se biznesi nuk shpall dot falimentin pasi kanë dhënë borxh shumë produkte me listë.
“Situatë e rënduar dhe e paparë më parë për biznesin e vogël.
Fiks në mes të Tiranës me dhjetëra biznese duan të shpallin falimentin por nuk munden ta bëjnë dot se kanë dhënë borxh shumë produkte me listë.
E shohin të largët ditën (shpeshherë të pamundur) për të marrë mbrapsht borxhin e qytetarëve, pasi tashmë as nuk futet njeri nëpër dyqane sepse janë zhytur në borxhe e nuk mundet të kërkojnë më sërish ushqime me listë”, shkruan Teliti.
Ai shprehet më tej se shumë prej tregtarëve thonë se do preferonin më shumë një punë me 20 mijë lekë të reja në muaj se sa një muaj të çuar dëm në pritje të asgjësë.
“Gjatë takimeve në disa biznese të vogla bashkë me Cimin, Flamurin dhe Gëzimin në zonën e Xhamllikut në Tiranë pamë nga afër se si ishin ‘mes asgjësë dhe të pa shpresë’ me dhjetëra biznese të vogla, të gjendur përballë dyerve të hapura të dyqaneve por që nuk futet asnjë klient, në kushtet që taksidarët u vijnë pa asnjë mëshirë duke u marrë edhe atë pak fitim që mund të sigurojnë gjatë muajit.
Me lot në sy ata thonë se do preferonin më shumë një punë me 20 mijë lekë të reja në muaj se sa një muaj të çuar dëm në pritje të asgjësë.
Kjo qeveri ka bërë ‘reforma të qenësishme’ për oligarkët e saj dhe nga ana tjetër ka ‘vjelur e vjedhur’ deri në qindarkën e fundit biznesin e vogël”, deklaron Teliti.
Sipas tij kjo është situatë e papranueshme. “Rimëkëmbja ekonomike e vendit nis nga biznesi i vogël dhe lehtësirat që krijohen për të. Ne jemi gati ta ndryshojmë këtë skemë rrënuese, duke ua shpërndarë paratë e taksave të shqiptarëve për shqiptarët e jo për oligarkët.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar e ka planin e plotë për nxjerrjen e vendit nga humnera dhe mbështetjen e biznesit të vogël. Qartë dhe thjeshtë:
Zero TVSH dhe Zero Tatim Fitim për çdo biznes të vogël me XHIRO DITORE deri ne 350 $. Taksë të vetme në masën 0.5% të xhiros. Ulje të çmimit të energjisë, etj”, shkruan Teliti.