Ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE, Neil Bush, publikoi një mesazh në lidhje me marrjen e kryesimit të OSBE nga Shqipëria. Atij i ka rënë në sy sidomos angazhimi i Shqipërisë për të luftuar dhunën ndaj grave në vendet e OSBE.
“Vlerësojmë fokusin tuaj të planifikuar për të luftuar dhunën ndaj grave,” thotë ai.
“Një shoqëri ku individët gëzojnë të njëjtat mundësi, të drejta, detyrime dhe siguri, pavarësisht gjinisë, nuk duhet të jetë vetëm një aspiratë”, shton ai.
Për ironi, duket sikur ai i drejtohet veçanërisht Shqipërisë.
Natyrisht Bush ndoshta nuk e di se shqiptarët zgjohen e ngrysen duke dëgjuar lajme nga më të frikshmet për dhunën ndaj grave.
Një i tillë u regjistrua pak orë pasi kryeministri Edi Rama ishte zotuar se do luftonte dhunën ndaj grave për 1 miliardë banorë të OSBE.
Ndërkohë në Tiranë vritej në mënyrë makabre një grua, e cila ishte dhunuar barbarisht dhe kishte marrë një urdhër mbrojtje.
Jo vetëm kaq, por edhe vajza dhe nëna e saj ishin dhunuar. Ato e dinin se nga momentin në moment i priste vdekja.
“Erdhi Erditi për të na vrarë,” rrëfen nëna e viktimës. Ajo e dinte, shoqëria e dinte, vetëm shteti nuk dinte asgjë. Ai mbledh kufomat dhe pret ditën kur lideri global të shpallë sfidat botërore.
Ka shumë paradokse kjo historia e drejtimit të OSBE nga Shqipëria. Ato nisin që nga mungesa e demokracisë në vend, te mungesa e zgjedhjeve të lira, te shtypja e lirisë së fjalës e deri te korrupsioni galopant dhe krimi në çdo qelizë të shtetit.
Të gjitha këto sjellin si pasojë një shoqëri në krizë, ku ato që vuajnë më shumë janë gjinia më e dobët. Të cilën e përdorim vetëm sa për shfaqje, kur na duhet të tregojmë se e kemi mbushur qeverinë me gra. Se çfarë bëhet atje poshtë, kjo nuk ka rëndësi.
E rëndësishme është që të zgjidhim krizat e mëdha globale. Çfarë kohësh po jetojmë...