Kryemadhi: Kemi përballë një qeverisje të korruptuar, morëm përgjegjësinë për reformën zgjedhore

Saturday, 18 Janar 2020 12:29

LSI hap dyert për anëtarësimet e reja, Kryemadhi: Vetëm të rinjtë mund ta shpëtojnë këtë vend

Lëvizja Socialiste për Integrim në kuadër të hapjes së partisë ka vijuar sot fushatën e anëtarësimeve të reja me aktivin e Korçës.

E pranishme ishte edhe kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi e cila gjatë fjalës së saj deklaroi se vetëm të rinjtë mund ta shpëtojnë këtë vend.

Kryemadhi u shpreh se kemi përballë një qeverisje të korruptuar, dhe opozita mori përgjegjësinë e saj për reformën zgjedhore.

Padia e Ramës për Haradinajn, Kryemadhi theksoi se është hakmarrje për bllokadën që i bëri Haradinaj, dhe një akt që përçan unitetin kombëtar dhe njollos pavarësinë e Kosovës.

Pjesë nga fjala e kryetares së LSI-së

Të nderuar anëtarë të Konventës së Qarkut të Korçës!

Takohemi sot së bashku në një nga momentet më të vështira për vendin, në një nga udhëkryqet më të rrezikshme, në mesin e një krize ekonomike shumë të rëndë dhe të një shteti të kolapsuar nga korrupsioni, të marrë nëpër këmbë nga krimi i organizuar, me një qeveri që i përket dhe i shërben një grupi të vogël njerëzish.

Por me përgjegjësinë për të rikthyer shpresën dhe besimin dhe papajtueshmërinë me të keqen, me bindjen e pa lëkundur në forcën tonë, vitalitetin e shqiptarëve dhe rinisë së mrekullueshme, se kjo gjendje pa asnjë diskutim mund të ndryshohet dhe të rregullohet për të mirën e shqiptarëve.

Sot përballë kemi një qeverisje dhe një kryeministër që e ka nxjerrë Shqipërinë në treg, që duan ta zhbëjnë Shqipërinë, ta grabisin atë, ta mbajnë të varfër, të pa zhvilluar, të pa arsimuar, pa stabilitet politik dhe ekonomik, pa shërbim shendetësor, pa rend dhe siguri, me një drejtësi të kapur dhe të frikur, të pa integruar në familjen e madhe të BE. Ne mendojmë se kështu mendojnë se do zgjasin pushtetin e tyre në kurriz të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj opozita është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë historike që ajo ka, për ta shpëtuar vendin dhe për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë për shqipërinë dhe shqiptarët.
Opozita e Bashkuar e detyroi Rilindjen dhe Edi Ramën të pranojë zgjidhjen e opozitës për reformë zgjedhore, e cila i hap rrugën jo vetëm integrimit të vendit, por edhe krijimin e mundësive reale për zgjedhje të lira të ndershme e të parakohshme.

Opozita mori përgjegjësinë e saj përpara jush për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman jo vetëm e tij por dhe e bashkimit europian, për të bërë të mundur hapjen e negociatave në muajin mars. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet dhe mosdashjen e saj për të integruar vendin në BE.

Tashmë i duhet kësaj Qeverie të paaftë të mos mbajë më peng të ardhmen Evropiane të Shqipërisë.
Tashmë është kjo Qeveri e lodhur që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman.

Tashmë është kjo Qeveri dhe ky Parlament monopartiak, që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës.

Me marrjen e përgjegjësisë nga ana e Opozitës së Bashkuar për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që ne mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve.

Sepse për ne Shqipëria është e para!
E ardhmja Evropiane e saj është e para!
Edi Rama dhe Qeveria e tij e mbrapshtë duan ta përdorin izolimin e Shqipërisë si alibi për Mini-Shengenin duke shkuar kështu në aleanca dhe rrugë të tjera, të cilat shqiptarët nuk i kanë dashur as si politikë por as shpirtërisht.

Modifikuar më Saturday, 18 Janar 2020 12:36
Login to post comments