Rama mungon në ‘Faleminderit Shqipëri’/ Më i mirëpritur në Beograd se në Prishtinë

Saturday, 18 Janar 2020 18:53

Ajo katedrale është vendi ku duhet të bashkohen shqiptarët. Quhet katedralja “Shën Nëna Terezë” dhe është ndërtuar me kontributin e katolikëve dhe myslimanëve. Në fakt, të shtunën ishin mbledhur të gjithë aty. Imzot Dodë Gjergji i kishte mbledhur për të përkujtuar 20-vjetorin e eksodit të madh nga Kosova drejt Shqipërisë. Ishte një aktivitet i titulluar: "Faleminderit Shqipëri, një nderim për mijëra shqiptarë që hapën dyert për të mirëpritur vëllezërit e tyre".

Në rreshtin e parë ishin presidentët Ilir Meta dhe Hashim Thaçi si dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Mungonte ai, që kohët e fundit është kthyer në personazhin më të urryer jo vetëm në Kosovë: Edi Rama.

Nën atë katedrale u fol shumë dhe pati momente prekëse.

 “Mirënjohje dhe falenderim të jashtëzakonshëm për çdo shqiptar, veçanërisht për solidaritetin heroik të popullit të Kukësit, pa harruar të gjitha familjet nga Tropoja në Sarandë, që mirëpritën vëllezërit e motrat e tyre nga Kosova, edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe sociale, duke përballuar me përkushtim, dashuri dhe sakrifica vetëmohuese, një eksod biblik që ka ndodhur shumë rrallë në historinë e një kombi,” tha presidenti Meta.

“Sot, kujtuam bujarinë dhe mirësinë e bashkëkombësve tanë, që hapën dyert dhe zemrat, për të na dhënë mbështetje, duke na strehuar dhe duke bashkëndjerë me ne, gjithë atë epokë të trishtë të ekzistencës tonë!”, tha Ramush Haradinaj.

I ftuar ishte edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko, që në atë kohë mbante postin që ka sot Edi Rama. Ai mbajti një fjalim që bëri xhiron e rrjetit, duke bërë thirrje për pajtim.

“Ndihemi mirë por ndihemi edhe keq kur na falenderoni sepse ne jemi ”vllau” dhe vllau edhe falenderohet edhe nuk falenderohet. Tani a të mërzit ndonjëherë vllau, edhe të mërzit. Si i thoni ju në Kosovë vllau si shkjau. Duhet ta durojmë njëri-tjetrin dhe të kutjojmë ato ditë të vështira që përcaktuan se kush jemi”, tha Majko.

Se kush është shkjau në këtë histori, kjo dihet. Ajo që harron të thotë Majko është se veprimet e Ramës ndaj Kosovës dhe liderëve të saj nuk janë vetëm një rrufe në qiell të pastër, por një seri aktesh që po shokojnë thuajse çdo ditë shqiptarët.

Pak ditë më parë, mediat në Beograd e festuan si hero Edi Ramën pas padisë ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke na kujtuar se kurrë nuk duhet të thuash kurrë. Askush nuk do e kishte menduar që do vinte dita kur një kryeministër shqiptar do ishte më i mirëpritur në Beograd se në Prishtinë.

Login to post comments