Intervista/Islami: Rama tradhëtar antishqiptar. Rilindja strehë për kriminelët, përplasje sociale nëse…

Premte, 24 Janar 2020 09:54

Ish-deputeti i PD-së, Kastriot Islami: Vendimi për krijimin e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore është vetëm fillimi i fundit të Rilindjes dhe nuk është aspak paqe me Rilindjen dhe për Rilindjen

A mendoni se tryeza mazhorancë-opozitë, do të jetë fillimi i fundit të krizës politike në vend? PD-ja kërkon zgjedhje të parakohshme dhe kur besoni do ti kemi? Në pranverë apo vjeshtë?

Kjo tryezë është ndërtuar me “asistencën” gjermane ose më saktë bazuar në 9 kushtet e Bundestagut gjerman. Rama është “detyruar” nga gjermanët të ulet në tryezë për të diskutuar për shqetësimet e kërkesat e opozitës. Kjo tryezë është programuar të mundësojë fillimin e largimit të Rilindjes nga pushteti vendor që Rama e dominon 100 përqind dhe nga pushteti qëndror që e kontrollon plotësisht. Vetëm kështu do të mund të zgjidhej kriza sepse çdo opsion tjetër do të thoshte thellim apo zvarritje të krizës dhe rritjen e mundësisë për përplasje sociale. Për më tepër që kjo tryezë shihet nga Gjermania si mundësia e vetme për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të pranueshme nga të gjitha palët, në kuptimin që shumica në largim do ta ketë të pamundur të kontestojë fitoren e opozitës në pushtetin vendor e qëndror përmes zgjedhjeve të parakohshme. Brenda periudhës qershor 2020-qershor 2021, Rilindja do të jetë në opozitë edhe në pushtetin vendor edhe në atë qëndror. Ky është një objektiv i projektuar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, në këtë tryezë nuk flitet për ndryshim sistemi, pse?

Edi Rama është realisht kundër; po të vëreni me vëmendje, kryeminsitri nuk është shprehur asnjëherë në trajtë eksplicite për këtë çështje. Rama po tenton me “zagarët e ekraneve” dhe “minjtë e rrjeteve sociale”, të paguar me paratë e korrupsionit e të krimit, të krijojë alibinë se kundër ndryshimit të sistemit është opozita? Përmes kësaj propagande ka arritur në një farë mase ta helmojë një pjesë të opinionit publik, kryesisht të majtë naivë, por natyrisht duke mos ja arritur dot qëllimit për të bërë pis e përçarë opozitën reale.

Opozita duke mosqenë në parim kundër shqyrtimit dhe përmirësimit/ndryshimit të sistemit aktual, madje duke qënë e prirur për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë shteruese, me seriozitet e profesionalizëm, e mbi të gjitha konform kërkesave qytetare që e shikojnë parlamentin të përbërë nga injorantë, kukulla, kriminelë e hajdutë, gjykon se në këtë moment, prioritare janë ndryshimet në kodin zgjedhor të cilat shmangin/eleminojnë blerjen e votës me paratë e korrupsionit e të oligarkisë dhe kërcënimin e votuesve përmes angazhimit të bandave kriminale e grupeve mafioze.

Shmangia nga ky prioritet do të thoshte ndryshe që opozita të binte në kurthin e Edi Ramës që tenton të krijojë perceptimin se cilësia e parlamentit s’ka aspak të bëjë me lidhjet e tij direkte me hajdutët e kriminelët e votës së lirë por me sistemin zgjedhor, apo të realizojë përçarjen e opozitës apo të vendosë qytetarët kundër saj për të krijuar opinionin se të gjithë janë njëlloj, tezë që favorizon qëndrimin e Ramës në pushtet.

Më kryesorja në Reformën Zgjedhore e cila përmbush një nga 9 pikat e Bundestagut Gjerman, mbetet ndarja e krimit nga politika. Duke parë ngjarjet e fundit, të lirimit të dënuarëve me burgim të përjetshëm, si do të ndahet krimi nga politika? Besoni se këto lirime lidhet me dyshimet që qeveria po bëhet gati për zgjedhje e parakohshme?

Në 9 kushtet e Budestagut gjerman janë përfshirë edhe këto kërkesa të “panegociueshme”: i) vënia në punë e prokurorisë speciale (SPAK) për luftimin e korrupsionit e të krimit; ii) funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; iii) ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që s’e kanë kaluar provimin e Vetting-ut; iv) rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapjen dhe ndjekjen penale e personave kyç të krimit (‘peshq të mëdhenj’).

Plotësimi i këtyre kushteve do të thotë ndryshe se Rama së bashku me hajdutët e kriminelët po bëhet gati të largohet nga pushteti në mënyrë të butë e me shumë gjasa me tej edhe të ndëshkohet; natyrisht nga ky negocim Rama është përpjekur të sigurojë “fitoren”e largimit të tij nga pushteti i tij me vota, pra përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, eventualisht të dyja të parakohshme por detyrimisht ato vendore të parakohshme, sepse për të gjitha bëmat e zullumet, që ka bërë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, do të mund të ishte e preferueshme nga disa qytetarë që ai largohej si Kadafi, Sadami, apo Noriega.

Shumë qytetarë janë të merakosur se Rama mund t’ia hedhë gjermanëve me veprimet e tij tinzare e hileqare dhe të qëndrojë prapë në pushtet; së pari Rama nuk jua hedh dot gjermanëve në asnjë rast dhe së dyti, veprimi i opozitës duhet prezent më shumë se kurrë për ti ndriçuar gjermanëve çdo vjedhje apo mashtrim të Ramës, sado të sofistikuara qofshin ato.

Kanë kaluar 100 vjet nga Kongresi i Lushnjes, a është cilësia e parlamentit ajo që presin apo meritojnë shqiptarët?

Parlamenti i sotëm është pothuajse monist, i dominuar nga ish-partia puniste e drejtuar nga Rama, që ka nxjerrë nga parlamenti partinë e parë demokratike në në vend dhe e ka zëvëndësuar atë me opozitën fasadë. Me keq se kaq nuk mund të imagjinohej cilësia e parlamentit dhe e qeverisë para 30 vjetëve ose në përvjetorin e 100 të parlamentarizmit në Shqipëri, kur vendin e drejton Sekti i Rilindjes. Në vitin 2013, kupola e Sektit të Rilindjes, ku bën pjesë Rama së bashku me disa ish-pinjollë të nomeklaturës së lartë komuniste, arrivistë e të etur për pushtet e para të dyshimta, anonimë, manenikë e kukulla, me formim mediokër e të dyshimtë dhe pa kontribute e eksperiencë dhe me prirje perverse, hajdutë e individë të korruptuar dhe lehtësisht të korruptueshëm, do të merrte drejtimin e vendit. Kjo kupolë së bashku me disa banditë, kriminelë e servilë politike, në nivel qëndror e vendor, do të lidhej shumë shpejt me klanet mafioze e trafikantët e drogave, thjesht dhe vetëm për të ruajtur karrigen e pushtetit të Ramës.

Kryeministri Rama ka deklaruar se nuk mban përgjegjësi për CV-në e deputetëve dhe të kryetarëve të bashkive dhe se në çdo rast do të abandonte ata për të mbrojtur reputacionin e partisë që drejton; çfarë mendoni ju për këtë gjë?

Edi Rama në krye të Sektit të Rilindjes dhe sidomos pas 2013, me synimin për të forcuar pushtetin e tij personal, me ndërgjegje të plotë veçse ka forcuar lidhjet me të gjithë klanet e familjet mafioze të trafikantëve të drogave duke synuar dhe arritur që së bashku të vendosnin nën kontroll institucionet kryesore kushtetuese. Për shembull, kështu ata kanë vënë nën kontroll kupolën e policisë e drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke ju dhënë atyre mundësinë të shndërroheshin në grupime, që kanabizuan masivisht vendin me synimin e qartë për të blerë vota e kërcënuar votuesit, por edhe shumë të rrezikshme në nivel rajonal e europian.

Rama deri në 2013, kishte zëvëndësuar të gjithë të rinjtë e talentuar dhe profesorët e akademikët reformatorë me injorantë, mediokër, intrigantë, kukulla dhe manekinë që do ti serviloseshin Ramës dhe njëkohësisht ai do ti përdorte si mish për top sa herë që do të ishte e nevojshme për të sulmuar kundërshtarët brenda e jashtë partisë. Në këtë kupolë të sektit të Rilindjes do të bënin pjesë gjithashtu disa të ”fortë” të ardhur nga doganat, burgjet, drejtësia, e tjerë që u vendosën në pikat kyçe të pushtetit të Rilindjes. Kryeministri po ashtu ngriti dhe forcoi pozitat e disa pushtetarëve hajdutë vendorë duke i dhënë mundësi atyre të ngrinin kështjellat e oligarkisë dhe inkriminimit vendor rreth të cilëve do të grumbulloheshin përfitues të pronave e pasurive vendore si dhe banditë e kriminelë vendorë, me synimin e qartë të blerjes së votave dhe kërcënimin e votuesve, pra për forcimin dhe sigurimin e pushtetit personal dhe të kupolës së tij oligarkike e kriminale.

Rama ndërkohë nxiti lidhjet kapilare dhe bashkëpunimin mes këtyre grupimeve, mes oligarkëve dhe kriminelëve, mes të fortëve dhe kriminelëve, mes manekinëve, injorantëve dhe oligarkëve e kriminelëve për ti ndërsyer të gjithë bashkë kundër opozitarëve të Ramës, brenda dhe jashtë PS-së por edhe për të blerë vota e kërcënuar votuesit me një synim të vetëm, forcimin e pushtetit personal të Ramës. Kryeministri është koka e hajdutërisë dhe e lidhjeve të qeverisë me krimin dhe ai realisht nuk shkëputet dot prej tyre dhe çdo lëvizje për tu distancuar prej tyre është thjesht alibi për të shpëtuar kokën e tij duke i ruajtur ata.

Pas rivendosjes së paqes me PS, opozita i rikthehet protestave në fund të shkurtit. Pse në këtë kohë dhe çfarë do të kërkohet sipas jush me këtë tubim? Do të pengojë ky vendimin tryezën e paktit dhe mund të çënojë qëndrimin e Europës në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit?

PS nuk ekziston më sepse prej 2013 mund të flitet vetëm për qeverisje dhe pushtet të Sektit të Rilindjes. Madje edhe socialistët e ndershëm ndjehen keq nën tutelën e këtij sekti; ata urrehen dhe e urrejnë Rilindjen po aq sa e madje edhe me shumë se edhe qytetarët e tjerë që nuk e kanë votuar Rilindjen. Rama me ta është tallur disa herë, edhe duke i marrë e keqpërdorur votën por edhe duke i shpërfillur e madje duke u tallur pafundësisht me ta. Të kthehemi te pyetja juaj. Nuk ka asnjë rivendosje të paqes së opozitës me Rilindjen sepse nuk mund të ketë paqe me hajdutët, kriminelët dhe trafikantët. Vendimi për krijimin e Këshillit Politik është vetëm fillimi i fundit të Rilindjes dhe nuk është aspak paqe me Rilindjen dhe për Rilindjen, por një veprim për fillimin e largimit të Rilindjes. Ky është një vendim/veprim i bazuar në 9 kushtet e Bundestagut gjerman ku janë përfshirë të gjithë kërkesat e opozitës, për të mundësuar largimin e butë të Ramës nga qeverisja e vendit dhe ardhjen e opozitës në pushtet me zgjedhje të lira e të ndershme, pra me vota dhe vetëm me vota.

Përse opozita nuk vijoi si më parë me strategjinë e saj në rrugën e protestave?

Betejat për ta hequr Ramën si Kadafi apo Sadami përmes protestave e demostrimeve masive popullore, duket s’janë fort të pëlqyeshme (por me shumë gjasa nuk janë përjashtuar nëse Rama do të obstruktonte këtë rrugë të butë të largimit të tij nga pushteti) nga partnerët e Shqipërisë, aq më tepër që Shqipëria trajtohet prej tyre si një vend anëtar i NATO-s dhe në prag të hapjes së negociatave me BE, ndonëse dosja e hajdutërisë së qeverisë Rama dhe e lidhjeve të saj në ngushta me krimin, si dhe blerja e votave e kërcënimi i votuesve, gjënden mbi tavolinat e kancelarive të të të gjithë vendeve anëtare të BE. Opozita përmes protestave apo tubimeve masive në të ardhmen do të duhet të mbajë të lartë presionin mbi Ramën në mënyrë që së bashku me partnerët ta detyrojnë atë të pranojë këtë rrugë të butë të largimit të tij nga pushteti. Opozita nuk ka bërë asnjë lloj paqeje me sektin e hajdutërisë e të krimit, por është ulur përkohësisht në tavolinë për të bërë ndryshimin e domosodoshëm të disa rregullave të “lojës” në mënyrë që ardhja e saj në pushtet të realizohet përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nuk shikoj asgjë tjetër konspirative poshtë kësaj tryeze.

Anti-terrori në Shqipëri është në gatishmëri pas vrasjes së liderit Qasem Sulejman. Media të huaja flasin për një sulm kibernitik nga Irani në Shqipëri. Jemi të rrezikuar duke shtuar këtu edhe prezencën e muhaxhedinëve?

Nuk do të dëshëroja ta lidhja opinionin tim për sigurinë e brishtë të vëndit me këtë çështje delikate e shumë komplekse, të cilën Rama ka tentuar ta shfrytëzojë, po ashtu si edhe shumë ngjarje të tjera, për interesat e kolltukut të pushtetit të tij personal në kurriz të sigurisë së shqiptarëve. Gjykoj se Shqipëria, prej mëse 6 vjetësh nën qeverisjen e Ramës, është një vend me siguri të brishtë për të mos thënë i pasigurtë, dhe i kanosur nga shumë rreziqe në të gjitha kuptimet e planet, edhe para se të ndodhte kjo ngjarje, madje edhe para se Rama të pranonte muhaxhedinët.

Mjafton të kujtoj se çfarë ndodhi me rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, po ti referohemi paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë për të menaxhuar këtë emergjencë; sepse kam bindjen e palëkundur që vendi nën qeverisjen e Ramës nuk ka asnjë lloj sigurie, nisur edhe nga fakti që shumica dërmuese nga 51 viktimat e 16 nëntorit 2019 s’kanë të bëjnë as me intesitetin e tërmetit dhe as me cilësinë e ndërtimeve por vetëm e vetëm me keqqeverisjen e vendit nga Rama, me makutërinë dhe banditizmin e sektit të Rilindjesm e papërgjegshmërinë e paaftësinë legjendare të qeveritarëve të Rilindjes.

Qeveria Rama është ekzekutivi më i keq dhe më i dobët në këto 100 vjet dhe vendi nën qeverisjen e tij është krejtësisht i pasigurtë e i paaftë për të përballuar edhe emergjencën më të vogël. Çdo kërcënim që vjen nga jashtë veçse e komplikon më shumë situatën.

Mos ky cilësim është i ekzagjeruar?

Ky cilësim ndoshta mund të duket paksa i ekzagjeruar, aq më tepër po të krahasohet me periudhën e rregjimit komunist apo të pushtimeve gjatë luftës së parë e të dytë botërore por fatkeqësisht është më se i vërtetë, një konkluzion “shkencor” i pohuar nga disa prej historianëve të vëndit në Konferencën e 100 vjetorit të parlamentarizmit në Shqipëri, pra nga historianë, shumica e të cilëve janë ideologjikisht pranë të majtës.

Nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 100 vjet parlamentarizëm (lexoni me vëmëndje përfundimet e nxjerra nga 9 kumtesat e historianëve në konferencën e organizuar nga Kuvendi me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes) që të ketë pasur kaq shumë injorantë e mediokër, hajdutë, kriminelë e trafikantë, të parsimuar e manekinë, zullumqarë, idiotë e gafaxhinj, në parlament e qeveri sa në këtë mandat qeverisës apo më saktë në këtë periudhë që vendi drejtohet nga Rama dhe nga sekti i tij i Rilindjes.

Kjo është arsyeja madhore e vetme e abandonimit të vendit nga shqiptarët; madje gjatë këtyre 6 viteve të fundit po largohen me shpejtësi edhe qytetarë të punësuar e në gjendje të mirë ekonomike, madje edhe disa relativisht të pasur, me formim solid universitar e profesional, individë apo familje të mirëarsimuara e të punësuara, që kishin planifikuar të jetonin e punonin në Shqipëri por që Rilindja jua ka bërë jetën skëterrë dhe të ardhmen e fëmijëve të zymtë.

Në jetën tuaj të gjatë politike, mbani mend ndonjëherë të kemi patur këto lloj marrëdhënie me Kosovën? Kur Kryeministri i Shqipërisë që padit në gjykatë Kryeministrin e Kosovës.

Ky është një skandal i rradhës i Rilindjes që nuk më çudit aspak. Vendi aktualisht është më i rrezikuar se kurrë më parë ekonomikisht, shoqërisht e politikisht, sepse qeveria po sillet si një bandë hajdute e kriminale, pushtuese e antipopullore, që po përpiqet te qëndrojë në pushtet me çdo mjet e mënyrë, duke mos kursyer as të gjithë llojet e mashtrimeve e deri edhe burgosjen, goditjet e gazin paralizues kundër qytetarëve të varfëruar në ekstrem e të nënshtruar gjatë 6 viteve të fundit. Pasi Rama dështoi në çdo aspekt të qeverisjes së tij, iu drejtua teknologjisë së gënjeshtrave, populizimit të mashtrimeve dhe nacionalizimit të rëndomtë antiperëndimor.

Duke degjeneruar më së fundmi në sytë e shqiptarëve si tradhëtar i interesave publike e kombëtare dhe rrezik për integritetin, sovranitetin dhe stabilitetin kombëtar e rajonal! Lojrat me pavarësinë e Kosovës, përmes aplikimit të marrëveshjeve të fshehta për ndryshimin e kufijve apo minishengenin si dhe sulmet e turpshme ndaj lidershipit kosovar e kanë damkosur Edi Ramën jo vetëm si një nacionalist të rëndomtë, aguridh e tinzar por edhe si një tradhëtar të interesave kombëtare, të urryer jo vetëm në Shqipëri por edhe kudo në Kosovë. Situatë kjo e paprecedentë në këto 30 vitet e fundit.

Modifikuar më Premte, 24 Janar 2020 09:56
Login to post comments