Deputeti Gjetan Gjetani i është bashkuar prej disa ditës Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërsa konflikti i tij me kryeministrin Edi Rama, bëri bujë duke qenë se ky i fundit e ‘zhveshi’ deputetin e dalë nga listat e PS-së nga të gjitha atributet politike.
Në një prononcim për Fax News, me gazetaren Eksiola Shehu, Gjetani i është përgjigjur interesit për të ditur nëse do t’i bashkohet vendimit të grupit të LSI-së për ta lënë mandatin e deputetit apo do të vijojë të qëndrojë në Kuvend.
Deputeti tha se të ishte në dorën e tij nuk do ta braktiste mandatin por theksoi se, ky është një vendim që do ta merrte për të kryesia e partisë ku tashmë ka zgjedhur të aderojë.
Gjetani ka treguar gjithashtu se me Ramën është përplasur sepse sipas tij, nuk ka bërë asnjë investim në zonë e Kurbinit të cilën edhe e përfaqëson ndërsa shton se, vendimi për t’u bashkuar me LSI-në është marrë nga ana e tij pas tërmetit të 26 Nëntorit
Ai ka përmendur konkretisht temat që e kanë ndarë me Ramën, reformën zgjedhore, mundësinë e një bashkëpunimi apo marrëveshjeje mes PD-PS pa LSI dhe çështjen e testit të drogës ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit. Në këtë pikë, Gjetani tha se personat që konsumojnë drogë, janë shumë të rrezikshëm.
“Pas përjashtimit nga PS unë kam qëndruar si i pavarur, kam votuar pro Partisë Socialiste dhe nuk jam i penduar. Pa njëfarë kohe vendosa ti bashkangjitem një force politike, për disa arsye. Nuk kam pasur në plan të merrem me politikë, por meqenëse kryeministri tregoi një mllef pas tërmetit të Nëntorit, vendosa të merem me politikë dhe interesat e qytetaëve tëKurbinit. LSI është një parti e hapur dhe me nivele të duhura dhe të hapura ndoshta më shumë se çdo parti tjetër politike dhe me demokraci të lartë të brendshme. Mendoj se shumë shpejt do të vijë në pushtet bashkë me PD-në dhe do të mbështesë qytetarët dhe komunitetin e Kurbinit si dhe do të ofrojë një administratë të aftë shtetërore. Kam shumë kritika për administratën shtetërore”, tha Gjetani në nisje të intervistës.
Intervista e plotë:
Pse nuk i keni ngritur në Parlamentin shqiptar?
Gjetani: Në Parlamentin shqiptar është si të flasësh mes pyllit, është bërë vegël e kryeministrit shqiptar. Jam deputet i Kurbinit, i shikoj gjërat nga afër, di problematikat. Nuk ka investime edhe ato që janë dhënë janë dhënë në mënyrë jo efikase.
I keni ngritur në parlament këto shqetësime?
Gjetani: Jo në Parlament, por ia kam bërë të ditur kryeministrit në një takim të vetëm që kam pasur me të dhe nuk i ka marrë parasysh. Kam listuar kërkesat që kanë qytetarët e Kurbinit, nuk ka dashur t’ia dijë për ta. Kjo është shkëndija e parë që ka nisur mes nesh. Edhe ato pak investime nuk i ka dhënë me impakt ekonomik.
Kur filluan problemet me PS?
Gjetani: Unë nuk kam pasur probleme me PS por me Edi Ramën, nuk e di çfarë mllefi ka për Kurbinin. Ka instaluar në Kurbin një administratë Haxhi Qamilse, e paaftë dhe e korruptuar.
Thatë se keni pasur marrëdhënie jo të mirë me Ramën, kur nisën këto probleme dhe si ka qenë marrëdhënia juaj më herët?
Gjetani: Me kryeministrin filluan gjatë kohës kur jam bërë kandidat për deputet dhe pasi jam bërë deputet. Përplasja e parë ka filluar kur unë kam bërë kërkesa për zonën time. Në zyrën e tij kam dorëzuar një kërkesë me 26 pika që mendoj se qytetarët kanë nevojë për plotësimin e tyre. Në takimin e parë kam kërkuar të bëhet përroi i qytetit që ka shkaktuar shumë probleme, ka shënuar edhe viktima para 3 vitesh, 4 viktima. Sa herë ka reshje qyteti përmbytet. Kam kërkuar të ketë qyteti ujë të pijshëm. Uji që furnizon Durrësin merret në Kurbin ndërsa ky i fundit s’ka ujë për vete. Kam kërkuar që në Milot të ketë një treg, përgjigjja e tij ishte tallëse. Nuk merrem me tregje më tha. I kam kërkuar të bëhet një investim për turizmin. Para ’90 në Kurbin ka qenë shumë i njohur turizmi, pas ’90 lumi i Matit u bë i pafrekuentuar. Por me një investim deri në 5 milionë euro mund të rikthehet. As në këtë pikë ai nuk ishte dakort. Nuk mund të pajtohem për aq kohë sa ai nuk plotëson kërkesat e qytetarëve. Nuk është e vërtetë se kam kërkuar shef komisariati. Shefi i Komisariatit nuk më duhet mua i kam kërkuar një polici profesionale.
Çfarë do të bëni me mandatin tuaj duke qenë se jeni tashmë pjesë e LSI por kjo e fundit i ka djegur mandatet?
Gjetani: Çështja e mandatit tim do të diskutohet nga kryesia e LSI. Nëse do të më pyeste kam dëshirë apo jo të dorëzoj mandatin, unë nuk kam dëshirë, kjo do t’i bënte qejfin kryeministrit dhe miqve të tij. Nëse kryesia merr vendimin që unë ta lë, do ta bëj ndonëse pa dëshirë, sepse jam zgjedhur nga qytetarët e Kurbinit.
Palët janë ulur në tryezë pas më shumë se një viti për të diskutuar për reformën zgjedhore, si e komentoni?
Gjetani: E shikoj si ogur të mirë për vendin, sepse ulja e tensioneve u shërben interesave të gjithë shqiptarëve, që Shqipëria të marrë rrugën e Europës. Me tensione politike edhe anëtarësimi është i vështirë. Është arritje se palët kanë bërë hapa pas dhe mendoj se pa kushte. Uroj të mbarojnë sipas afateve punë dhe të marrim një përgjigje pozitive për negociatat.
Ju jeni pro ndryshimit të sistemit në Shqipëri?
Gjetani: Personalisht jam për sistem proporcional kombëtar për lista të hapura, që qytetarët të kenë mundësi zgjedhjeje. Një sistem i tillë u jep mundësinë qytetarëve të zgjedhin dhe partitë do të mendoheshin mirë për kandidatët.
I druheni një marrëveshjeje të dy partive të mëdha PS-PD?
Gjetani: Në Shqipëri jemi, edhe mund të ndodh, por rezervoj të shprehem.
Jeni për zgjedhje të parakohshme?
Gjetani: Për mendimin tim po, me këtë lloj qeverie e parlamenti, mendoj se qytetarët duhet të shprehen.
Si e komentoni videon e kryebashkiakut të Bulqizës që shihet duke marrë kokainë dhe a duhet të bëhet testi i drogës ndaj zyrtarëve?
Gjetani: Unë e kam parë videon por prova nuk kemi, duhen hetime për ta vërtetuar. Për mendimin tim testin e drogës duhet ta bëjnë të gjithë personat jo vetëm në politikë për edhe në administratën shtetërore. Janë shumë të rrezikshëm personat që konsumojnë lëndë narkotike.