Albin Kurti merr zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës

Tuesday, 04 February 2020 11:39

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë sot zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës. Përmes një ceremonie zyrtare, ai që i dorëzoi detyrën Kurtit ishte ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, pasi ish-kryeministri Ramush Haradinaj ndodhet për një vizitë në SHBA

“Kemi këtu një raport të cilin do të ua dorëzoj, do të ishte mirë që të ishte vet kryeministri Haradinaj, por ai nuk është këtu, dhe më ka kërkuar që të jem unë ai që ua dorëzon detyrën, duke dëshiruar çdo gjë të bukur, shëndet, kënaqësi shpirtërore, lumturi dhe punë të mbarë. Unë besoj se ju do t’ia dilni ashtu siç thashë edhe dje, për arsye se jeni i vetëdijshëm që e bën mirë atë që e bën. Unë jam i bindur që ju e doni punën e juaj, ju e doni suksesin e Kosovës, ju e doni suksesin e qytetarëve të Kosovës. Unë personalisht do të jemi gjithmonë aty dhe nuk do të kursej asgjë, aty ku duhet dhe ku nevojitet. Ju dëshiroj punë të mbarë”, tha ai.

Ndërkohë, kryeministri Kurti falënderoi Pacollin për pritjen. “Faleminderit për pritjen dhe për raportin e punës të cilin do ta analizoj me kujdes. Kam biseduar mbrëmë në telefon me ish-kryeministrin Haradinajn dhe më njoftoi që është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodhet atje për një vizitë disa-ditore dhe do të kthehet në fundjavë dhe më pastaj me siguri se do të takohemi me të, shpresoj që ta mbajmë komunikimin dhe bashkëpunimin tonë”, tha Kurt

Po ashtu, Kurti pritet të thërrasë në një mbledhje ceremoniale edhe qeverinë e tij të re, e cila do të ketë 15 ministri.

Kujtojmë se dje teksa u votua për Kurtin si kryeministër, ai siguroi 66 vota pro dhe 10 abstenime.

Login to post comments