Bodo Weber, ekspert i Ballkanit dhe konsulet i partive politike në Gjermani, në intervistë ekskluzive me Deutsche Wellen për qeverinë Kurti dhe pritshmëritë ndaj saj.
Deutsche Welle: Zoti Weber, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në marrëdhëniet me Serbinë kërkon reciprocitet. A është e mundur të ketë reciprocitet, kur Serbia nuk e njeh e Kosovën?
Bodo Weber: E kam të vështirë të përgjigjem – është relativisht e paqartë për mua se çfarë nënkupton në të vërtetë Albin Kurti me “reciprocitet”. Fillimisht, me sa kam kuptuar, kjo kërkesë lidhej me heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia, të cilat janë pengesa kryesore për rifillimin e negociatave të Brukselit. Por tarifat nuk u vendosën në fund të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj praktikave ekzistuese të padrejta tregtare të Serbisë ndaj Kosovës, por. nga njëra anë, si reagim ndaj lobiimit të suksesshëm të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe, nga ana tjetër, siç e kuptoj unë, edhe si një masë për të frenuar dialogun e udhëhequr nga Brukseli, i cili po lëvizte drejt shkëmbimit të territoreve – me mbështetjen e ndërmjetëses së atëhershme Mogherini dhe disa vendeve perëndimore.
Tani dialogun do ta udhëheqë pasardhësi i Mogherinit, Borrell. A do të jetë Kurti një bashkëbisedues i vështirë për BE-në?
Kurti si Kryeministër do të jetë një bashkëbisedues jo komod, – pjesërisht për shkak të pozicioneve të tij parimore demokratike e pjesërisht, sepse bindjet dhe programi i partisë së tij vazhdojnë të përmbajnë elemente dogmatike-ideologjike.
Kurti dhe partia e tij i mëshojnë vazhdimisht përkatësisë kombëtare shqiptare. Në të kaluarën madje ata refuzonin simbolet shtetërore të Kosovës. Nga ana tjetër ata janë për një dialog të drejtpërdejtë me serbët e Kosovës. A do të jetë e mundshme kjo?
Kurti ka konfirmuar në deklarata të ndryshme se Vetëvendosja është vazhdimisht partia që ka insistuar për dialog me komunitetin serb në Kosovë. Nuk dihet se si mund të realizohet kjo kur Kurti dhe Vetëvendosja insistojnë në pikëpamjen e tyre dogmatike vetëm për të negociuar ose komunikuar direkt me serbët e Kosovës, pa Beogradin. Realiteti i trishtë është se serbët e Kosovës aktualisht nuk përbëjnë një faktor më vete. Shkak për këtë janë edhe pasojat e paqëllimta të dialogut politik, që ka lejuar që në 10 komunitetet me shumicë serbe në Kosovë të ngrihet një regjim njëpartiak i varur nga patronazhi dhe ndërhyrja e aparatit partiako-shtetëror të kontrolluar nga Beogradi dhe i lidhur me krimin. Serbët e Kosovës do të jenë një faktor më vete, vetëm kur të nënshkruhet një marrëveshje me Serbin, që garanton integrimin e plotë të serbëve të Kosovës në shtetin e Kosovës, si edhe mospërzierjen politiko-institucionale të Serbisë në shtetin dhe politikën e Kosovës. Pra, besoj se qeveria e re do të përdorë një retorikë të re dhe më të përparuar në marrëdhëniet me komunitetet serbe, por nuk pres të ketë shumë sukses jashtë kuadrit të dialogut të udhëhequr nga Brukseli.
Kurti dëshiron të luftojë korrupsionin, por a është e mundur kjo në një koalicion me LDK-në, një parti që në Kosovë nuk lidhet domosdoshmërisht me “duart e pastra”.
Sipas mendimit tim, kjo do të varet shumë më tepër nga idetë konkrete dhe realizimi i Vetting-ut të paralajmëruar në gjyqësor dhe polici, pasi idetë që vijnë nga ana e Vetëvendosjes dhe qeverisë së re ende më duken shumë të paqarta dhe idealiste. Do të varet edhe nga ajo, se në çfarë mase qeveria e re është e gatshme të pranojë ndihmë ndërkombëtare sidomos nga specialistët perëndimorë. Në të njëjtën kohë, roli i ish-kandidates së LDK-së, kryetares së re të Parlamentit dhe juristes së shquar, Vjosa Osmani, do të ketë një rëndësi të madhe në këto procese.
Kurti është një lider parimor. A do t’u qëndrojë ai besnik parimeve të tij apo do të dorëzohet përballë arsyes shtetërore? Në rast se po, cilat janë kompromiset që duhet të bëjë?
Një zbutje e qëndrimeve dogmatike të tij është regjistruar që prej ditës së zgjedhjeve, ngjashëm me atë gjatë negociatave të koalicionit në vitin 2014, por ai nuk ka pse të heqë dorë nga qëndrimet e tij idealiste, dhe shpresoj se kjo nuk do të ndodhë. Një tërheqje të pjesshme nga qëndrimet dogmatike e përjetuam në zgjedhjen e qeverisë, të hënën. Përkundër njoftimit të parë të kryeministrit Kurti që Srpska Lista (SL) nuk do të merrte pjesë në qeveri me ministra, qeveria e re përfshin dy ministra nga kjo parti, të cilët janë miratuar nga shumica e deputetëve të SL-së, edhe pse SL nuk është bashkuar zyrtarisht me qeverinë dhe nuk ka votuar për qeverinë. Mbetet të shihet se çfarë domethënie kanë këto dhe kompromise të tjera të pashmangshme në të ardhshmen për punën dhe zhvillimin e mëtejshëm të vetëvendosjes.