Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka përgëzuar kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin për detyrën e re dhe e ka ftuar në takim në Berlin. Në letrën zyrtare, të publikuar në faqen e Qeverisë gjermane, kancelarja Merkel ka thënë se Kurti dhe Qeveria kanë detyra të rëndësishme dhe të vështira përpara vetës.
Ndër detyrat që e presin Qeverinë e Kosovës, ajo ka përmendur sundimin e ligjit, luftimin i krimit dhe korrupsionit, përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe dialogu me Serbinë, përcjell Telegrafi.
Sipas kancelares Merkel, këta janë hapat kryesorë për sigurimin e perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës.
Letra e plotë
“I nderuar kryeministër,
Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj.
Ju dhe qeveria juaj keni detyra të rëndësishme dhe të vështira përpara jush. Kjo përfshin krijimin dhe zgjerimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e situatës ekonomike dhe, veçanërisht, dialogun për normalizimin me Serbinë. Këto janë hapat kryesorë për të forcuar perspektivën evropiane të vendit tuaj. Qeveria Federale do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë mënyrë.
Do të isha e lumtur që të shoh së shpejti në Berlin.
Ju uroj fat dhe suksese për detyrat e ardhshme!.
Sinqerisht e juaja
Angela Merkel
Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë”.