Për Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, koncepti “Ndiq paranë”, është mënyra e duhur për të zbuluar kriminelët që kanë vënë pasurinë e tyre si pasojë e përfshirjes në botën e krimit. Por ai shtoi se do të monitorojë nga afër implementimin e paketës Anti-KÇK dhe do të presë rezultatet e këtij ligji special.
Soreca tha gjithashtu se Paketa Anti-Kap ça t’Kapësh duhet të respektojë reformën në drejtësi dhe se SPAK-u duhet të jetë në qendër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në lidhje me mundësitë e çeljes së negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian, zyrtari i lartë i BE në Tiranë, thotë se mundësitë janë më të mira se tetorin e vitit të shkuar dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat.
Ambasadori i BE-se thekson se e ka mirëpritur uljen në tryezë të maxhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore. Kjo sipas tij, tregon se palët duan të ecin përpara dhe të zgjidhin krizën politike.
“E kemi mirëpritur marrëveshjen për reformën zgjedhore. Palët kanë shprehur vullnet për të ecur përpara”, tha Soreca.