Pasi në SPAK, PD ngre 7 akuza për Beqjen, Manastirliun dhe të paktën 10 të tjerë

Tuesday, 18 February 2020 11:08

Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kallëzimin penal për koncesionin e check up-it.

Duke e konsideruar atë si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, 

Ata ngarkohen me 7 akuza, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

Kallëzimi penal ka analizuar me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.

Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

‘Sipas provave të administruara rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare. Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar’ – thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Në kallëzimin e dorëzuar prej Partisë Demokratike vihet në dukje, përmes provave, se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit.

‘Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funskionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës’-thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, dhe se është provuar shkelje e barazisë në tendera, si dhe cënimin e interesit publik, duke pasur parasysh cilësinë e shërbimit dhe marrëdhënien financiare ndërmjet fituesit dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Modifikuar më Tuesday, 18 February 2020 11:17
Login to post comments