Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas kthimit nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, në një prononcim për media kishte thënë se nga takimet që kishte pasur në Gjermani, kishte kuptuar që Ramush Haradinaj nuk e kishte vendosur taksën vetë dhe se dikush nga ndërkombëtarët ishte i përfshirë dhe po i qëndronte mbrapa.
Lidhur me këtë çështje kishte thënë se do të fliste më vonë dhe do të zbulonte detaje. E kur s’ka kaluar as një javë, Vuçiç ka filluar të japë detajet e para.
Në një intervistë për ‘Tv Happy’, ai ka aluduar në një shtet të fuqishëm evropian që sipas tij ka vendosur taksën me synimin për të larguar Serbinë nga dialogu në momentin kur arritja e një marrëveshje finale kompromisi ishte gati.
Siç ka shpjeguar ai si pjesë e kompromisit planifikohej që Serbia të merrte pjesën e Veriut të Kosovës dhe Anamoravën, megjithatë një gjë e tillë ishte pa mundësuar nga zhvillimet pas vendosjes së taksës.
“Amerikanë kanë kundërshtuar më zëshëm sesa Evropianët gjatë gjithë kohës. Është e pamundur që shqiptarët ta bëjnë një gjë të tillë pa mbështetjen e dikujt. Sigurisht, shqiptarët kanë pasur mbështetjen e shumicës së fuqive evropiane, për ta larguar Serbinë nga dialogu, në mënyrë që Serbia të mos arrijë të kërkojë as Veriun e Kosovës, Anamoravën, apo ndonjë gjë tjetër. Pra për të çuar poshtë ndonjë plan nga i cili Serbia do të merrte diçka”, ka thënë Vuçiç.
Ai thotë se fillimisht nuk e kishte kuptuar një gjë të tillë, por se tashmë di gjithçka.
“E kam kuptuar më vonë. Tashmë di gjithçka. Kush ua ka kërkuar, kush iu ka thënë. Sigurisht, një fuqi e rëndësishme nga jashtë”, ka thënë Vuçiç.
Ndërkohë tashmë presidenti serb thotë se pas humbjes së një mundësie të tillë nuk do të marrë përgjegjësitë në rast se ndodhë ndonjë ‘katastrofë’ në të ardhmen