Shengeni ballkanik dhe integrimi në BE ishin në fokus të fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Kongresin e PS.
Shefi i qeverisë tha se Shqipëria ka qenë që në krye të herës nxitëse e kësaj nisme dhe do të vazhdojë të jetë udhëheqëse e procesit.
Për vendimin e Brukselit në pranverë, Rama tha se nuk do të presin më, pasi sipas tij Shqipëria ka përmbushur detyrat e saj dhe i takon BE të përmbushë angazhimin e tij për hapjen e negociatave.
Rama: Shengeni rajonal. Jemi që në krye të herës nxitës dhe do të jemi udhëheqës të këtij procesi. Përmes këtij procesi fuqizohet pozicioni ynë në rajon dhe Europë. Përmes këtij procesi fuqizojmë kandidaturën tonë për të qenë anëtar të BE. Nuk presim nga Europa asnjë dhuratë, detyra jonë është të bëjmë Europën këtu. Procesi i integrimit për ne është proces që na jep mundësinë të ecim më shpejt përmes instrumentave që na ofron.
Na i hapin sot, nuk na i hapin sot, do të na i hapin nesër apo pasnesër negociatat, këtë e dinë të zotët të shtëpisë në BE. Ne nuk presim më as mars, as maj, as tetor, as dhjetor, asgjë. Po të duan ti hapin, po të duan mos ti hapin. Kur të kenë nge do ti hapin dhe faleminderit që do të na i hapin. Mjaft më duke përgatitur dasma ku krushqit nuk paraqiten ditën e dasmës. Pavarësisht se nuk na i kanë hapur kur na kanë thënë se do ti hapin ne kemi vazhduar të punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë njësoj sikur të ishin hapur. Detyra jonë është ta bëjmë këtë për shqiptarët, Shqipërinë dhe fëmijët tanë.