Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump, pak ditë pas përkujtimit të pavarësisë së Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve, në letër shprehet se Kosova e pavarur është një realitet sot, për shkak të mbështetjes së pakursyer të Amerikës. Në letër, nënvizohet se Kosova dhe shqiptarët gjithmonë do të jenë mirënjohës ndaj SHBA-ve, për atë që ata kanë bërë për popullin shqiptar.
Letra e Ambasadorëve Shqiptarë për presidentin amerikan Donald Trump:
Letër e hapur e Këshillit të Ambasadoreve Shqiptarë për Presidentin e SHBA, Donald J. Trump
I nderuar, Zoti Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara
Shtëpia e Bardhë
1600 Pennsylvania Avenue NË
Ëashington, DC 20500
Në vëmendje të:
Sekretarit të Shtetit Michael R. Pompeo,
Departamenti Amerikan i Shtetit.
Senatorit James Risch,
Kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë
Senatorit Robert Menendez,
Antar i Lartë i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë
Senatorit Ron Johnson,
Kryetar i Komitetit të Senatit mbi Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare dhe Kryetar i Nënkomitetit për Europën dhe Sigurinë Rajonale,
Kongresmenit Eliot Engel,
Kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme
Kongresmenit Michael McCaul,
Antar i Lartë i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Çështjet e Jashtme
Ambassadorit Richard A. Grenell,
I Dërguar Special i Presidentit për Negociatat e Paqes midis Serbisë dhe Kosovës
I nderuar Zoti President,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi për t’ju falenderuar përzemërsisht, Juve dhe SHBA-ve, për mbështetjen e vazhdueshme që u keni dhënë Shqiptarëve në Ballkan.
Pak javë më parë, më 17 Shkurt, Kosova festoi 12 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Ashtu siç jeni shprehur dhe në Letrën Tuaj të urimit drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, lidhjet e fuqishme ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës janë farkëtuar përmes një angazhimi të përbashkët për zhvillimin e Kosovës, si shtet sovran, i pavarur, multi-etnik dhe demokratik.
Populli i Kosovës luftoi pothuajse një shekull për liri dhe pavarësi. Më në fund, këto objektiva u realizuan me vendosmëri dhe me mbështetjen e domosdoshme të miqve dhe aleatëve tanë perendimorë, dhe, në radhë të pare, të SHBA-ve.
Mbështetja vazhdueshme e SHBA-ve ndaj aspiratave legjitime të popullit të Kosovës ka qenë vërtetë thelbësore. Ajo çimentoi më tej miqësinë ndërmjet Amerikanëve dhe Shqiptarëve, e cila ka ekzistuar qysh nga fundi i Luftës së I Botërore. Administrata e Presidentit Ëilson mbrojti të drejtën e Shqipërisë për të qenë shtet i pavarur.
Populli shqiptar do të mbetet përjetë mirënjohës dhe është krenar që është kombi më pro-amerikan në Evropën Juglindore.
Si shteti i pavarur, Republika e Kosovës ka bërë përparime të mëdha në rrugën e saj për ndërtimin e institucioneve demokratike funksionale dhe për një demokraci dinamike, ku të sundojnë liritë njerëzore dhe shteti i të drejtës. Sot, pakicat etnike në Kosovë gëzojnë të drejta individuale dhe kolektive të pakrahasueshme, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Në një rajon me probleme akute mbi – dhe ndërshtetërore, gjendja në Kosovë është e qëndrueshme dhe nuk përbën kurrfarë kërcënimi për paqen dhe sigurinë rajonale.
Republika e Kosovës është gur themeli për stabilitetin dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës.
I nderuar Zoti President,
Na lejoni të përfitojmë nga ky rast për të rikujtuar se Kosova e shpalli pavarësinë pas një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës me negociata të kryesuara nga OKB, të bashkërenduara ngushtë me komunitetin ndërkombëtar me në krye SHBA-të. Në Opinionin e tij Këshillimor më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pohoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja ofron një dritare mundësie për të dy vendet, që më në fund të kthejnë një faqe të re.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e mbështet këtë proces, duke shpresuar se ai do të përfundojë me njohjen e ndërsjelltë diplomatike, si dy shtete fqinj, të pavarur dhe sovrane.
Gjithashtu, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret përkushtimin e Administratës Tuaj për përparim në këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja. Tanimë kemi dhe disa rezultate premtuese falë marrëveshjeve të kohëve të fundit mbi transportin ajror dhe hekurudhor, falë ndërmjetësimit të të Dërguarit Tuaj Special, Ambasadorit Richard Grenell.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se rezultati i dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të jetë në përputhje me parimet e miratuara për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruar dhe në Dokumentat e Grupit të Kontaktit, i cili ka monitoruar dhe mbikqyrur politikën ndërkombëtare në Kosovë, si dhe me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, ose siç njihet ndryshe “ Plani Ahtisaari”
Këto parime udhërrëfyese sigurojnë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe mbrojtjen e karakterit të saj multi-etnik. Përqasjet alternative mbi bazën e nocionit të ri-përcaktimit ose ndryshimit të vijave kufitare sipas parimeve etnike mund të minojnë stabilitetin e Kosovës dhe vendeve të tjera multi-etnike në Evropën Juglindore.
Është përgjegjësia e të gjithë aktorëve të përfshirë që të garantojnë respektimin e këtyre parimeve gjatë gjithë këtij procesi. Ato janë me rëndësi kritike për paqen, stabilitetin dhe perspektivën afat-gjatë europiane të Rajonit tonë.
I dashur Zoti President,
Me rastin e urimeve për Kosovën, për ditën e saj të pavarsisë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh mirënjohjen e tij më të thellë të gjithë atyre që me sakrifica të panumurta e kthyen në një realitet të bukur ëndrën për një Kosovë të lirë e të pavarur.
Kjo mirënjohje është gjithashtu dhe për të gjithë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, në veçanti, SHBA-ve dhe lidershipin Tuaj, që keni mbështetur dhe vazhdoni të mbështetni forcimin e pandërprerë të shtetit më të ri në Europë.
Së fundi, Ju lutemi, Zoti President, pranoni sigurimet e konsideratës tonë më të lartë!
Me respekt,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë