Haradinaj: 7 Marsi – Dita e Mësuesit, është një ditë e shënuar dhe shumë e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar

Saturday, 07 Mars 2020 09:29

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, aktualisht kryetari i AAK-së teksa ka uruar të gjithë mësuesit me rastin e 7 Marsit, është kthyer pas në kohën kur ishte në bankat e nxënësve.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale Haradinaj ka kujtuar sakrificën e mësuesve shqiptarë që e kanë bërë ndër breza.

Bashkangjitur mesazhit kushtuar mësuesve, Haradinaj ka publikuar dhe një foto ku shfaqet bashkë me disa shokë të klasës së katërt.

“7 Marsi – Dita e Mësuesit, është një ditë e shënuar dhe shumë e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar. Kujtoj, në veçanti, mësuesit e mi dhe gjithë mësuesit dhe mësueset shqiptare ndër breza që sakrifikuan gjithçka për të na edukuar e mësuar. Më së vështiri e patën mësuesit e nxënësit e viteve të nëntëdhjeta, të cilët në kushte shumë të vështira është dashur që të mësonin, edhe kur regjimi atëherë ua ndaloi mësimin qytetarëve të Kosovës veç pse flisnin shqip. Tashmë, mësimdhënësve të kësaj periudhe u njihen kontributet edhe nga shteti, falë një vendimi të qeverisë, për të cilin jam shumë krenar! Urime kjo datë e rëndësishme, të gjithë mësimdhënësve shqiptarë!
RH
P.S. Në këtë foto jam unë me shokët e shoqet e klasës dhe mësimdhënësit Bajram Çekaj, Nife Haskaj dhe Miftar Çekaj.”, ka shkruar Haradinaj.

Login to post comments