Gati çdo ditë mësohet se veçanërisht pushteti lokal vazhdon që të shpallë tenderë të shumtë njësoj si në kohë normale, edhe pse nuk jemi në kohë normale. Ajo që po duket qartë dhe nuk fshihet më as nga kryeministri Rama është, se buxheti i qeverisë Rama nuk është i përgatitur për të përballuar ditë të tilla.
Në të gjitha planet emergjente, ekonomike-financiare, me rastin e kësaj pandemie, të qeverive në gjithë botën dhe atyre të vendeve tona fqinje, janë kufizuar tenderimet dhe prokurimet e punëve publike dhe blerjeve nga administrata, duke lejuar vetëm ato për çështje të domosdoshme dhe jetike për punën e tyre dhe të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ndërkohë në Shqipëri ditën e sotme, edhe bashkia e Peqin ka shpallur një tender me fond 21.5 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e rrjetit të ndriçimit në qytetin e Peqinit.
“Rrjeti i ndriçimit rrugor do të përbëhet nga shtyllat elektrike në njërin krahë të rrugës me lartësi 6m + ndriçuesit LED dhe rrjeti kabllor. Gjithashtu, në të tërë rrugët e bllokut do të ndërtohet sistemi i ndriçimit rrugor… Për të gjithë aplikantët e interesuar, tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri në 27 prill, ora 08:00”, shkruhet mes të tjerave në njoftimin e bashkisë.