PD: Rama burimi kryesor i panikut, gënjen shqiptarët me VIDEO të rreme

Saturday, 21 Mars 2020 17:25

‘Edi Rama, burim kryesor paniku.
Dhunën policore kundër opozitës në Algjeri i prezanton si masa të Spanjës për të luftuar COVID 19’, thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike.
Sipas PD-së, Rama ka publikuar nje video të gënjeshtërt dhe të rrezikshme, për të trembur edhe më shumë shqiptarët.
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:
Sot Edi Rama ka shpërndarë një gënjeshtër të rrezikshme për t’i trembur edhe më shumë qytetarët e Shqipërisë. Video e shpërndarë nga Edi Rama në profilin e tij zyrtar në facebook është mashtrim, sepse ajo është shkëputur nga një protestë antiqeveritare në Algjeri dhe jo nga situata e virusit në Spanjë.
Në Spanjë situata është e rënduar, por një shtet demokratik i Bashkimit Europian nuk vepron kurrë me dhunë ndaj shtetasve të vet, siç gënjen dhe mashtron Edi Rama. Ai është sot burimi kryesor i panikut dhe pasigurisë në Shqipëri.
I gjendur i papërgatitur, pa ide dhe në majë të një qeverie të kalbur nga skandalet dhe korrupsioni, ai ka dështuar të qetësojë dhe të kompensojë njerëzit, si dhe të menaxhojë një karantinë të efektshme.
Paradite detyron qytetarët të dynden në dyqane, në drekë i terrorizon me video nga protestat antiqeveritare kundër regjimit autoritar në Algjeri, duke e shitur atë si dhunë që ndodh rëndom në Bashkimin Europian. Kjo është papërgjegjshmëri.
Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të dalë nga shtëpia dhe të bëjë detyrën, t’u japë fund mesazheve që përhapin panik tek qytetarët dhe të përqendrojë të gjithë vëmendjen e tij tek detyrat e Qeverisë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të zgjidhur krizën social-ekonomike që ka krijuar situata.
Partia Demokratike i bën edhe njëherë apel të fortë çdo qytetari të ndjekin me seriozitet dhe përgjegjshmëri masat e kufizimit të lëvizjes dhe distancimit social. Zbatimi rigoroz i këtyre masave është me rëndësi JETIKE për të mbrojtur veten dhe njerëzit tanë më të dashur.

Login to post comments