Kreu i PD Lulzim Basha ka falënderuar mjekët dhe infermierët që shkuan në Itali për të dhënë kontributin e tyre në spitalet ku ka një situatë të rënduar nga koronavirusi. Nuk ishin jashtë vlerësimit dhe falënderimit të Bashës edhe mjekët e infermierët në vend. Në komunikimin e sotëm me mediat, Basha tha se e gjithë shoqëria është në borxh me ta dhe i kërkoi qeverisë t’i mbështesë.
“Dua t’i falënderoj ata mjekë e infermierë që po mbështesin mjekët në Itali. Ju uroj punë të mbarë dhe uroj që kthehen shëndosh e mirë. Dua të falënderoj me mijëra mjekë e infermierë të larguar 2-3 vitet e fundit. Dua të kërkoj vëmendjen maksimale për mjekët dhe infermierët këtu që janë në gjendje stresi konstant. Shpërblimi financiar s’duhet të mungojë. E gjithë shoqëria është në një borxh me ta. Kanë kryer akt të pashembullt.
Vazhdojnë të kryejnë akte heroizmi të panjohura për shumicën e njerëzve.
Dje ishte kryer një operacion tek ‘Shefqet Ndroqi’ për të shpëtuar jetën e një 19-vjeçareje. Dua të përshëndes të gjithë ekipin e mjekëve. Dua të përshëndes me qindra e mjekë për sakrificën e tyre të përditshme në këto kushte të vështira. Meritojnë mbështetjen tonë, mbështetjen e qytetarëve. I bëj qeverisë thirrje t’i japë mbështetje totale. Kapacitete mbrojtëse, testimi, duhet urgjentisht që kapacitetet shëruese të vihen në funksion që të përballohet fluksi në rritje në spitalet tona”, tha Basha.