Ish-Kryeministri Sali Berisha ka shprehur dhimbjen e tij sot për ndarjen nga jeta të Dr. Ali Sulës, për të cilin ai shprehet me konsideratat më të larta.
"Mjeku, intelektuali, humanisti i shquar, ikonë e vërtetë e vlerave më të arrira të shërbëtorit fisnik të popullit të tij, Dr. Ali Sulo, nuk është më, - shkruan Berisha në Fb. - Dr. Ali Sula ishte një nga mjekët klinicitë më të talentuar dhe të respektuar të plejadës së tij në Shqipëri, njeri nga intelektualët më të njohur të Durrësit dhe Shqipërisë.
Dr. Aliu, mbi të gjitha ishte një nga humanistët më të shquar, shërbëtorët më të përkushtuar që për dekada e dekada u shërbeu me aftësi dhe dashuri me mijëra e mijëra qytetarëve të Durrësit, Kavajës dhe mbarë Shqipërisë. Në karrierën e tij, Dr. Ali Sulo publikoi një seri veprash shkencore dhe historike dhe sociale.
Dr. Aliu, për vlerat që ai besonte dhe mbronte, do të bashkohej me lëvizjen demokratike në fillimet e saj. Ai përfaqësoi me dinjitet të veçantë qytetarët e Durrësit si deputet i Partisë Demokratike në vitet 1992-1996 dhe më vonë, drejtues i Shoqatës Durrësi; ai derdhi të gjithë dashurinë dhe aftësitë për Durrësin e përjetshëm që lindi, rriti dhe bëri të pavdekshëm, birin e vet të shquar, Dr. Ali Sulon.
Me këtë rast i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të Dr. Ali Sulos dhe lutem së bashku me ta që shpirti i mirë i tij të gjejë paqen e merituar. Amin!"