Në një lidhje me Skype për Syri TV, ish ministri i drejtësisë Ylli Manjani komentoi paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama për burgosjen e qytetarëve që shkelin masat ndaluese, debatin e qirave dhe deri te propozimet e kreut të qeverisë për legalizimin e kanabisit.
Sipas Manjanit, jemi në një moment të vështirë, por jo në një luftë siç shprehet edhe kryeministri Edi Rama.
"Karantinimin nuk e ka shpikur Edi Rama, nuk e ka shpikur as Shqipëria. Për sa kohë edhe shoqëritë e tjera u gjendën në një panik nga ky virus, rruga e vetme që mbeti ishte karantina. Cila është vlera e saj? Që njerëzit të mos dynden në dyert e spitalit, qoftë edhe për një temperaturë të lehtë dhe që spitalit ti ofrohet mundësia që të punojë i qetë dhe jo në kushtet e mbingarkesës. Falë ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë, mjekët shqiptarë po punojnë në kushte komode. Mendoni në një spital me 200 shtretër të ketë 1000 të sëmurë", tha Manjani.
Ish-ministri shtoi se, nuk duhen bërë krahasime masash me vendet e tjera pasi Italia bën 30 mijë teste në ditë, ndërsa ne deri tani kemi bërë vetëm 1500.
Sa i përket urdhërave që kryeministri Edi Rama lëshon nga Facebook-u i tij, Manjani dha këtë përgjigje:
"Zoti Rama nuk është i arsyeshëm në atë që thotë. E ka pnga paniku apo nga presioni, por nuk është konsistent. Institucionet e shtetit marrin vendime mbi ato që shkruan kryeministri në Facebook. Është e tepërt, do tju bëja thirrje edhe juve, dhe kolegëve tuaj, të mundohen ta bojkotojnë atë që thotë kryeministri se nuk është në terezi".